Lajme

“Duhani”, kardiologu Cuculi tregon pse vdekshmëria në Kosovë nga infarktet është më e lartë se në Zvicër

By GAZETA SCANNER

November 20, 2023

Mjeku kardiolog, Florim Cuculi, deklaroi  se faktori kryesor që i mbyt shqiptarët nga infarkti është duhani.

Mjeku që drejton klinikën e kardiologjisë në spitalin e Luzernit, tha se edhe në Zvicër i ka pacientët e rinj për nga mosha që kryesisht janë nga Ballkani.

“Edhe në Zvicër pacientët më të rinj për nga mosha që i kam janë nga Ballkani, natyrisht që ekzistojnë shumë faktorë. Por faktori kryesor i cili i mbyt shqiptarët nga infarkti është duhani. Kjo është diçka që ne nuk e luftojmë sa duhet. Kjo nuk luftohet me masa represive, po neve na duhen shumë më shumë investime në prevencion që mos të fillojnë edhe fëmijët e shkollës të pinë duhan”.

“Faktori kryesor është duhani, i shoqëruar me faktorë të tjerë që i ndihmojnë duhanit ta përkeqësojë situatën. Vijmë te pjesa gjenetike, unë shoh sëmundje në një moshe shumë të re, pa u ndikuar nga ndonjë faktor si është duhani. Kur e ke pjesën gjenetike mos ja ndihmo me duhan, ose me mbipeshë. Këtu duhet të punojmë, gjenetikën nuk mund ta ndryshojmë”, u shpreh kardiologu në Pressing.