Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se nuk mund të ketë zgjedhje të reja në Kosovë pa u konstituar më parë Kuvendi .
Sipas tij, për të folur për zgjedhje, duhet që deputetët të bëjnë hapin e parë dhe ta funksionalizojnë institucionin ku i ka dërguar populli.
“Nuk bëhet fjalë për zgjedhje derisa e kemi këtë ngërç. Pa konstituim të parlamentit, nuk mund të shkohet në zgjedhje”, ka theksuar Dugolli në Debat Plus.
Ai ka theksuar se nuk ka rëndësi kush e kërkon shkuarjen në zgjedhje – PDK-ja apo ndonjë subjekt tjetër – sepse gjithçka duhet të fillojë nga konstituimi i Kuvendit.
“Unë mendoj që detyra e parë e deputetëve është që në atë shtëpi ku i ka dërguar populli, ta bëjnë funksionale. Më pas mund të flitet edhe për tema të tjera, pse jo edhe për zgjedhje”, ka deklaruar ai.
Sipas Dugollit, nëse asnjëra nga partitë nuk mund të sigurojë një shumicë të qëndrueshme për të krijuar qeveri, atëherë mund të diskutohet për caktimin e një date për zgjedhje të reja.