Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka folur për procesin e rinumërimit të votave në disa komuna.
Dugolli ka theksuar se, ndonëse disa deputetë kanë pasur vëzhgues për të monitoruar procesin e votimit dhe numërimit, ai personalisht nuk ka pasur vëzhgues, pasi i beson sistemit zgjedhor.
“Ka deputetë që kanë dërguar vëzhgues për t’u kujdesur për votën e kandidatit, mirëpo unë nuk kam pasur, sepse i besoj sistemit dhe mënyrës se si zhvillohet procesi”, ka deklaruar Dugolli në Tëvë1.
Ai ka shtuar se aktualisht ekziston një problem që, sipas tij, duhet të adresohet, pasi ka tendenca për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve brenda vetë subjekteve politike, konkretisht mes kandidatëve.
“Tash e kemi një problem që duhet adresuar, pasi në mes të kandidatëve ka tendencë që vullneti i qytetarëve të tjetërsohet brenda vetë subjektit politik. Pikërisht për këtë arsye, KQZ-ja ka marrë vendim për rinumërim, pas verifikimeve që janë bërë në qendrat e votimit”, ka thënë ai.
Sipas Dugollit, nga verifikimet e bëra në një përqindje të mostrës, është konstatuar mospërputhje në disa qendra votimi, çka ka çuar në vendimin për rinumërim.
“Në verifikimin që është bërë, rreth 2 për qind e vendvotimeve të testuara kanë shfaqur mospërputhje mes kandidatëve, andaj në disa qendra është marrë vendim që të bëhet rinumërimi”, ka shtuar Dugolli.
Ai ka apeluar që në zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përgatitet për përdorimin e teknologjisë në procesin e numërimit.
“Shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme KQZ-ja të përgatitet dhe numërimi i votave të bëhet me skanerë, në mënyrë që të mos i lihet hapësirë keqpërdorimit nga faktori njerëzor”, ka përfunduar Dugolli.






