Fjalimet e zjarrta në opozitë, ishin ndër faktorët kyç që sollën Albin Kurtin në pushtet. Megjithatë, lë shumë për të dëshiruar në katër vjet qeverisje, fjalët nga goja e Kurtit të zbatohen në tavolinë kur është në krye të vendit, shkruan Periskopi.
Në një fjalim që kishte mbajtur gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, e ku në krah kishte edhe Vjosa Osmanin, ai përmendi edhe tashmë shprehjen e famshme “Dubrava 12 kat”.
“Njani e pati një shprehje edhe ma të mirë se qikjo “hajnat në burg”… a e din çka tha, ‘Dubrava 12 kat’”, deklaronte Kurti.
Rrethanat aktuale – ku kryeministri Kurti është në vitin e fundit të mandatit të rregullt – tregojnë për 3 arratisje vetëm brenda periudhës dy mujore.
Enver Sekiraqa, Faton Hajrizi dhe së fundmi Marko Roshiq janë tre personat që u arratisen nga burgjet e Kosovës.
Arratisja e Sekiraqës erdhi pikërisht pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.
Policia më pas konfirmoi se janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”.
Më tej Policia thotë se “meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi”.
“Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi”.
Sipas Policisë, veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë.
“Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.