Albin Kurti fitoi bindshëm brenda Kosovës, por një test tjetër i vështirë mund të jetë edhe jashtë saj. Mandati që i dha populli në zgjedhje, me mbi 51 për qind të votave, vjen pas një periudhe marrëdhëniesh të tensionuara me aleatët perëndimorë, deri në atë pikë sa vetë partneritetet strategjike nisën të lëkunden.
Tensionet u ushqyen nga një sërë veprimesh të Qeverisë së kaluar të Kurtit – nga vendosja e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, deri te mbyllja e shumicës së institucioneve serbe – të cilat u cilësuan nga bashkësia ndërkombëtare si të njëanshme, të pakoordinuara dhe problematike për komunitetin serb.
Në kulmin e krizës, më 2023, atëkohë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i dënoi ashpër veprimet e tilla, për të cilat tha se ishin “kundër këshillave të SHBA-së dhe partnerëve evropianë të Kosovës”. Ai, po ashtu, paralajmëroi pasoja për marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe SHBA-së.
Dhe, pasojat nuk vonuan: vetëm pak ditë më vonë, Kosova u përjashtua nga stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”, nikoqire e të cilave ishte vetë.
Për Kurtin, tani në retrospektivë, “ia ka vlejtur barra qiranë”, pasi strukturat paralele të Serbisë janë eliminuar dhe shteti ka shtrirë rendin dhe ligjin.
“Ne jemi miq përkundër kritikave. Ne nuk jemi miq të vërtetë nëse nuk arrijmë ta normalizojmë kritikën për njëri-tjetrin”, tha Kurti për Televizionin Kanal 10 në Prishtinë, dhjetorin e kaluar.
Por, në kontrast me deklaratat e tij për “normalizimin e kritikave mes miqve”, SHBA-ja, vitin e kaluar, i shoqëroi mospajtimet e saj edhe me pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën – një mekanizëm i krijuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Qëndrimin e tillë të Uashingtonit e forcoi në dhjetor edhe një takim i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në të cilin Kurti u përshkrua si pengesë në avancimin e proceseve.
Në Kosovë, megjithatë, perceptimi duket krejt ndryshe. Me mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje synon ta rikthejë Kurtin në krye të Qeverisë dhe t’i krijojë sa më shpejt institucionet e reja – një hap që duket se do të testojë edhe durimin, edhe qasjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Kur u pyet nga Radio Evropa e Lirë për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e ardhshme, Ambasada amerikane në Prishtinë theksoi gatishmërinë për forcimin e marrëdhënieve, por, paralelisht, specifikoi se kjo do të kërkojë edhe përmbushjen e disa kushteve.
“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik. Arritja e kësaj, megjithatë, do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane.
Në fund të vitit të kaluar, SHBA-ja miratoi Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, duke theksuar, mes tjerash, nevojën që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet. Që nga viti 2011, dy vendet kanë zhvilluar negociata dhe kanë arritur disa marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Që nga shtatori i vitit 2023, nuk ka pasur as ndonjë takim të nivelit të lartë, sepse Serbia nuk e ka dorëzuar të dyshuarin për sulmin në Banjskë, Millan Radoiçiq – hap ky që Kurti e ka kërkuar pa ndërprerje, si nga Beogradi, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Këtë javë, Kosovën e vizitoi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili e përshëndeti procesin zgjedhor. Vizita u zhvillua në kohën kur Kosova pritet të dalë nga masat ndëshkuese të BE-së, të vendosura për më shumë se dy vjet, për shkak të veprimeve të konsideruara të njëanshme. Nga Prishtina, Sorensen rikujtoi se vazhdimi i dialogut në nivel të lartë me Serbinë, mbetet kyç.
“Ne vazhdojmë të punojmë për çështjet e dialogut, me shpresën që viti 2026 të sjellë atë që 2025-a nuk e solli. Pikërisht për këtë arsye e nisa vitin me një vizitë këtu dhe më pas në Beograd, gjatë kësaj jave”, u tha Sorensen mediave.
Pas takimit me Sorensenin, Kurti deklaroi se Kosova është e gatshme për dialog konstruktiv dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por përsëriti kushtet e tij: dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe tërheqjen e letrës së vitit 2023, me të cilën Serbia shprehu rezerva ndaj Marrëveshjes për normalizim me Kosovën dhe aneksit të zbatimit të saj.
Duke iu përgjigjur Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si planifikojnë të angazhohen me Qeverinë e re të Kosovës, edhe Zyra e BE-së në Kosovë dhe Ambasada gjermane theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe shprehën mbështetje për të. Ndërkohë, vendet e tjera të Quint-it – Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia – nuk iu përgjigjën pyetjes.
Mandati i fortë, vlerësojnë disa analistë, ia forcon Kurtit pozicionin edhe përballë BE-së dhe SHBA-së. Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore, thotë se kjo i jep atij hapësirë politike për të vazhduar kursin aktual – edhe kur ai nënkupton vendime jopopullore dhe qëndrime më të ashpra në dialogun me Serbinë.
“Mesazhi për aktorët ndërkombëtarë është mjaft i qartë: ata duhet të bashkëpunojnë me Kurtin. Duan apo s’duan, ai është aktori politik dominues në Kosovë. Edhe më herët, partia e tij ka qenë larg më e popullarizuar. Dhe, aktualisht, nuk ka asnjë alternativë të fortë politike”, thotë Bieber për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Lisa Homel, drejtoreshë e Qendrës për Evropë në Këshillin Atlantik, e përmbledh ngjashëm situatën: “Kurti ka një mbështetje të jashtëzakonshme dhe të qartë pas vetes” dhe kjo “do ta inkurajojë atë në marrëdhëniet me Brukselin dhe Uashingtonin”. Sipas saj, ai do të jetë i gatshëm të angazhohet në dialog, por më pak i predispozuar për kompromis, sidomos në marrëdhëniet me Serbinë.
“Kurti e ka marrë mesazhin nga qytetarët e Kosovës se qëndrimi i tij ndaj Serbisë është popullor. Kjo i jep atij një pozicion të qartë dhe të paluhatshëm. Nuk pres të ketë përparim të madh të menjëhershëm, por mund të shohim më shumë lëvizje, deklarata dhe ngjarje mediatike pas vitit 2025, pasi, deri më tani, gjithçka ka qenë e bllokuar nga ngërçi politik në Kosovë”, thotë Homel për Exposenë.
Pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, Kosova ishte me Qeveri në detyrë, pasi partia e Kurtit s’arriti të formonte Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – çfarë edhe çoi në proces të parakohshëm zgjedhor. Në këtë kontekst, Bieber thotë se mandati i fortë i Kurtit nuk është thjesht një pohim i gjithçkaje që ka bërë Qeveria e tij, por edhe ndëshkim publik i dështimit të opozitës për të mbështetur një qeveri të re.
Bieber thotë se reagim logjik i BE-së do të ishte që të përshtatej dhe të angazhohej me Kosovën, e jo ta izolonte atë. Sipas tij, BE-ja duhet ta rimendojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke u angazhuar me Kurtin si partner.
“Sigurisht, tani ekziston një partner që do të mund të bënte kompromise, nëse ka vullnet për ta bërë këtë, në mënyrë që dialogu të çohet përpara në një fazë ku, të paktën pala kosovare, të mos shihet më si penguese. Kjo do ta zhvendoste qartazi përgjegjësinë te pala serbe dhe do ta orientonte dialogun drejt një procesi më konstruktiv”, thotë Bieber.
Gjatë mandatit të kaluar, Kurti akuzoi shpesh zyrtarët evropianë për “pozicionim kundër Kosovës” dhe për koordinim me palën serbe kundër Kosovës.
Bieber argumenton se autoriteti i Serbisë në Kosovë “është dobësuar” nga Qeveria paraprake e Kurtit dhe më tej nga sulmi në Banjskë, ku dyshohet se ishin të përfshirë njerëz nga Lista Serbe. Kjo e lë Serbinë në një “pozicion më të dobët negociues sesa ishte më parë”, sipas tij.
Homel, nga Këshilli Atlantik, nuk pret rritje të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë, duke vënë në dukje se, përballë krizave të shumta globale, Ballkani Perëndimor vështirë se do të jetë prioritet i lartë – veçanërisht për Uashingtonin. Sipas saj, rifillimi i Dialogut Strategjik SHBA-Kosovë, nëse ndodh, do të jetë sinjali më i qartë i mënyrës se si Uashingtoni synon të angazhohet me Prishtinën. Nga BE-ja, pritjet i ka gjithashtu të kufizuara, dhe jo vetëm për dialogun.
“Sapo ka nisur Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, e udhëhequr nga Qiproja, një nga pesë vendet që nuk e njohin Kosovën. Prandaj, është e vështirë të shihet ndonjë përparim në procesin e zgjerimit gjatë Presidencës së Qipros. Por, ndoshta kur Irlanda ta marrë Presidencën pas disa muajsh, mund të shohim lëvizje më të dukshme”, thotë Homel.
Nisur nga kjo, Homel sheh një status quo. Sipas saj – larg ideales, por realiteti më i mundshëm, dhe përgjegjësia nuk bie vetëm mbi bashkësinë ndërkombëtare.
“Një nga aspektet më sfiduese të normalizimit të marrëdhënieve është se duhet të vijë nga vetë rajoni. Bashkësia ndërkombëtare mund t’i shprehë prioritetet dhe ambiciet e saj, por, në fund, iniciativa dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga vetë Kosova dhe Serbia”, thotë Homel.
Dhe këtu nuk jemi ende… Serbia është e përfshirë nga protestat e brendshme antiqeveritare, ndërsa Kurti i porositi përfaqësuesit e shteteve të BE-së në Kosovë se mandati i ardhshëm do të jetë “mandat i projekteve të mëdha infrastrukturore, të orientuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik”.
Por, në kohën kur paparashikueshmëria është bërë normë, asnjë datë e saktë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk duket e sigurt. Ankesat dhe rinumërimet e votave kanë ngadalësuar procesin e certifikimit të rezultateve të 28 dhjetorit, ndërsa ligji parashikon që zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës të kryhet deri më 4 mars. Nëse ky hap dështon, episodi mund të nisë sërish nga fillimi… me zgjedhje të reja. /REL






