Futbollistët e Zvicrës janë duke u bërë gati për lojën e nesërme ndaj Kosovës.
Pas miqësores me Anglinë, “Helvetikët” do të kenë punë me “Dardanët” në miqësoren që po konsiderohet si vëllazërore, e cila do të zhvillohet në Zurich nesër mbrëma nga ora 18:00, shkruan “Gazeta Express”.
Stadiumi pritet të jetë i mbushur me shikues, prej tyre një pjesë e madhe me tifozë shqiptarë.
E atmosferë të shkëlqyeshme pret edhe futbollisti zviceran, Michel Aebischer.
Ai mezi pret të luajë në ndeshjen e nesërme, ndërsa beson se skuadra e tij do të shënojë fitore në fund.
“Në ndeshjen që do ta zhvillojmë në shtëpi ndaj Kosovës ne duam t’ju ofrojmë lojë të mirë shikuesve që vijnë në stadium dhe që paguajnë”, deklaroi futbollisti i Bolognas për mediumin “srf.ch”, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne duam t’ia imponojmë lojën tonë kundërshtarit dhe në fund të fitojmë, natyrisht”, vazhdoi 25 vjeçari.
Kontingjenti kosovar ka mbërri sot në Zvicër, ndërsa të dyja Kombëtaret do t’i zhvillojnë sot stërvitjet e fundit para lojës së nesërme.