Ajo ka fituar vëmendje për stilin e saj të guximshëm në modë dhe për ndikimin e madh që ka në industrinë muzikore.
Tani, këngëtarja pop Dua Lipa ka shtuar edhe një arritje tjetër në listën e saj, teksa festoi kalimin me sukses të provimit të saj në gjuhën spanjolle në nivelin GCSE, të hënën, shkruan DailyMail.
Autorja e hitit “Houdini”, 30 vjeçe, ndau lajmin e bukur me ndjekësit në Instagram Story, duke publikuar një foto nga një video-telefonatë me mësuesen e saj të spanjishtes dhe duke shkruar: “Gjithashtu sapo u diplomova këtë mëngjes në GCSE Spanish (me emoji zemre dhe lotësh)”.
Dua, e cila aktualisht është në turneun e saj “Radical Optimism”, e mbylli postimin me fjalët: “Të dua shumë @catyvillanuevamatar – mësuesja më e mirë në botë!”.
Por artistja nuk ndalet këtu – ajo ndau gjithashtu me ndjekësit një foto të librit të vitit të parë të nivelit A në spanjisht, duke treguar se është gati për sfidën e radhës. Në mbishkrim, ajo shkroi: “Next next next!!!!!!! (emoji buzësh)”.
Kjo ndodhi pak ditë pasi Dua mahniti publikun me një kostum shkëlqyes në skenë, duke performuar së bashku me Dallas Cowboys Cheerleaders gjatë koncertit të saj dyditor në Teksas.
E veshur me një kostum skenik të shkurtër dhe tërheqës, autorja e hitit “Hallucinate” dukej më e lumtur se kurrë teksa kërceu në skenë përkrah yjeve të Netflix-it.
Gjatë performancës, Dua e la veten të lirë dhe bëri edhe një gjest të veçantë për skuadrën amerikane të futbollit, teksa veshi një fanellë të Dallas Cowboys dhe realizoi një koreografi për nder të tyre.
Në Instagram, ajo publikoi një përmbledhje fotografish nga nata, duke shkruar: “DALLAS, çfarë dy netë të pabesueshme! Një koncert plot energji me kaq shumë miq! Faleminderit që u bashkuat me mua mbrëmë! Wow wow wow! Nuk kam fjetur fare nga adrenalina”.
Vetëm dy javë më parë, burime zbuluan se Dua ishte kontrolluar nga një radiolog pasi fansat vunë re disa mavijosje në shpatullat e saj.
Një burim tregoi për The Sun: “Dëmtimi ndodhi ndërsa Dua po shijonte pak pushim nga koncertet. Ishte e dhimbshme, por pas kontrollit mjekësor ajo mori lejen për të vazhduar. Turneu do të vazhdojë siç ishte planifikuar – thjesht një nga ato gjëra që ndodhin”.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Dua dhe i fejuari i saj, aktori Callum Turner, janë në kërkim të një vile luksoze prej nëntë milionë funtesh (10.3 milionë euro) në një zonë me diell, për të gjetur paqe dhe privatësi.
Çifti thuhet se po shqyrton prona në Marbella apo Andalusia, si një vend ku mund të kalojnë kohë me familjarë e miq, larg zhurmës së jetës publike.
Vetëm në qershor, Dua konfirmoi publikisht fejesën me Callum, duke ndarë me fansat emocionin e propozimit romantik të aktorit. Megjithatë, thashethemet për propozimin kishin nisur që në fund të vitit të kaluar.
Ndërkohë, interpretuesja e hitit “Levitating” dhe i fejuari i saj kanë ndërmarrë një hap tjetër në marrëdhënien e tyre — duke krijuar së bashku kompaninë TwentyTwo Films Limited, një shtëpi prodhimi filmash që përfaqëson një tjetër kapitull të ri përpara martesës së tyre.