Dua Lipa ka folur për herë të parë hapur mbi lidhjen dhe fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, duke e përshkruar si një histori dashurie që e ka bërë të ndihet “marrëzisht e dashuruar”.
Në një intervistë për “Harper’s Bazaar U.S.”, këngëtarja 29-vjeçare u shpreh se është gati të tregojë ndjeshmërinë e saj dhe të lejojë dashurinë në jetën personale, edhe pse kjo e ekspozon ndaj rrezikut të lëndimit.
E dua dashurinë, është e bukur dhe frymëzuese. Ndihem me fat që po e përjetoj.
Lipa dhe Turner nisën të frekuentoheshin në janar 2024, duke e bërë publike lidhjen disa muaj më vonë.
Në verën e këtij viti, ata konfirmuan fejesën, ndërsa këngëtarja është parë shpesh me unazën e saj me diamant.
Është një ndjenjë e veçantë kur vendos të kalosh gjithë jetën me dikë që të njeh kaq mirë
Këngëtarja, e cila këtë muaj mbush 30 vjeç, pranoi se nuk kishte qenë kurrë një person që ëndërronte për martesën, por tashmë po mendon me emocion edhe për ditën e dasmës.
Megjithatë, ajo bëri të qartë se planet do të shtyhen deri në përfundim të turneut të saj muzikor dhe projekteve filmike të Turner.
Në intervistë, Dua Lipa foli gjithashtu për të ardhmen si nënë.
Një ditë do të doja të kem fëmijë, por gjithmonë mendoj se kur është momenti i duhur. Rritja e një fëmije është shumë më tepër sesa vetëm dashuria për ta
Duke kujtuar fillimet e romancës, këngëtarja tregoi se ata u njohën fillimisht në Londër, në një darkë me miq të përbashkët, por rruga e tyre u kryqëzua sërish në Los Angeles.
Mendova: ‘Oh, është ai djali simpatik nga River Café’. Pastaj zbuluam se të dy po lexonim të njëjtin libër. Ishte sikur gjithçka të kishte ndodhur me arsye
-rrëfeu ajo, duke pranuar se beson njëmijë për qind se ishin të destinuar të ishin bashkë.
Dua tha gjithashtu se para kësaj lidhjeje kishte kaluar periudha të vështira në marrëdhënie të mëparshme, por ato e ndihmuan të mësonte të falte, të rritej dhe të vendoste kufijtë e saj.
Çdo lidhje të mëson diçka. Tani kam gjetur vetëbesimin dhe personin e duhur.