Dua Lipa dhe i fejuari i saj Callum Turner ishin mes 90,000 fansave që pushtuan stadiumin Wembley për të parë nga afër rikthimin legjendar të grupit britanik Oasis.
Të përqafuar pranë njëri-tjetrit, çifti u kap në kamera duke kënduar me pasion hitin e pavdekshëm “Don’t Look Back In Anger”, ndërsa koncerti i dytë i grupit në Londër ndezi atmosferën.
Në pamjet që publikoi Anais Gallagher, vajza e Noel Gallagher, dyshja dukeshin të qetë dhe të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, ndërsa bashkoheshin me turmën për të shijuar momentin nostalgjik, shkruan DailyMail.
Fejesa e tyre, e konfirmuar muajin e kaluar, duket se po lulëzon edhe mes dritave të skenës.
Ndërkohë, surpriza më e madhe ishte shfaqja e Tom Cruise në mesin e publikut, jo në një zonë VIP, por përkrah fansave të zakonshëm.
I shoqëruar nga aktorja Ana De Armas, e përfolur si e dashura e tij e re, aktori hollivudian kishte siguruar deri në 20 bileta për veten dhe miqtë e tij, duke tërhequr vëmendjen e të gjithëve.
Burime pranë organizatorëve thanë se Cruise ishte shumë entuziast për koncertin dhe kishte bërë përpjekje të veçanta për të qenë prezent.
“Ai është një nga të paktët që arriti të sigurojë një numër kaq të madh biletash në këtë turne shumë të kërkuar”, tha një burim për Mirror.
Rikthimi i Oasis në skenë pas më shumë se 16 vjetësh në Londër u përshkrua si “triumfal”, me një set dyorësh ku u kënduan hite si “Wonderwall”, “Live Forever” dhe “Champagne Supernova”.
Grupi pritet të vazhdojë turneun e tyre botëror me ndalesa në Edinburg, Dublin, Azi dhe SHBA.