25 C
New York
Monday, August 18, 2025

Buy now

Drita pëson humbje në Ferizaj, Prishtina triumfon në Klinë, debutim ëndrrash për Prishtinën e Re

- Advertisement -

Elita e futbollit kosovar, Albi Mall Superliga, e ka nisur edicionin e ri 2025/26 me ndeshje mjaft interesante dhe rezultate befasuese. Kampionia aktuale, Drita, e ka nisur me humbje mbrojtjen e titullit. Skuadra gjilanase u mposht 1:0 nga Ferizaj në udhëtim. Golin e vetëm dhe të fitores për vendasit e realizoi Jakup Berisha, në minutën e 12-të. Nga minuta e 39-të, Drita mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi mbrojtësi Raddy Ovouka u ndëshkua direkt me karton të kuq. Epërsia numerike në fushë, por edhe në rezultat i dha mundësi ferizajasve ta menaxhojnë më lehtë lojën.

Fitore në start të kampionatit shënoi edhe Prishtina, që në Klinë mposhti Dukagjinin me rezultat 3:2. Bardhekaltrit e kryeqytetit i mbyllën 45 minutat e para me epërsi 2:0 me golat e Mario Ilievskit (10’) dhe Blend Baftiut (26’). Megjithatë, skuadra e Ismet Munishit u rikthyen në lojë pas pushimit duke barazuar rezultatin me golat e Meris Maliqit (47’) dhe Egzon Sinanit (67’). Mirëpo, për fitoren e skuadrës së drejtuar nga Arsim Thaqi u përkujdes Valmir Veliu, i cili shënoi golin vendimtar në minutën e 82-të.

Skuadra e promovuar në elitë, Prishtina e Re, pati debutim ëndrrash në Superligë. Në udhëtim ndaj Malishevës, skuadra e drejtuar nga Elon Berisha fitoi me rezultat bindës, 4:0. Toni Correia Gomes ishte protagonist absolut i ndeshjes, duke realizuar “hat-trick” me golat e shënuar në minutat 45+2’, 56’ dhe 79’. Gol tjetër për Prishtinën e Re shënoi Lorik Dobratiqi (79’). Malisheva nga minuta e 54-të luajti me dhjetë futbollistë pas përjashtimit të Donart Vitijës me karton të kuq.

Ndeshja e vetme që nuk prodhoi gola ishte ajo në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Drenica dhe Llapi u ndanë me shifrat 0:0.

Ndeshja e fundit e javës së parë zhvillohet të hënën, në orën 16:30 ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit.

Të ngjashme

Të fundit