28.5 C
New York
Thursday, September 19, 2024

Buy now

Drita mposht Dukagjinin, pa fitues në Podujevë e Prizren

- Advertisement -

Është mbyllur pa fitues derbi mes Llapit dhe Prishtinës, derisa Drita ka triumfuar ndaj Dukagjinit kurse Liria e Prizrenit ka ndarë pikët me Fushë Kosovën.

Përballja më interesante u zhvillua në “Zahir Pajaziti”, ku Llapi me fitore do të bëhej lider i Superligës së Kosovës megjithatë luajtën pa gola ndaj Prishtinës.

Derbi ishte shumë i hapur nga minuta e parë, me raste të shumta nga të dy palët sidomos vendasit por larg finalizimit.

Llapi dominoi në posedim duke pasur edhe rastet më të rrezikshme mirëpo që nuk ia dolën assesi ta thyejnë mbrojtjen mysafire.

Kësisoj, Llapi qëndron në pozitën e dytë me 44 pikë derisa Prishtina zë vendin e pestë me 31 sosh.

Në anën tjetër, Drita ka përfituar nga gabimi i Ballkanit dhe Llapit për ta ngushtuar diferencën në tabelë, pas fitores 2:0 ndaj Dukagjinit.

Skuadra e Zekirija Ramadanit ishte më e mirë se klubi nga Klina dhe me plot meritë i arkëtoi pikët e plota.

Raddy Ovouka me një eurogol nga distanca e kaloi skuadrën gjilanase në epërsi (56’).

Kurse, fitoren e vulosi Ebuka pas një asistimi perfekt të Dabiqajt (71’).

Drita renditet në pozitën e tretë në tabelë me 43 pikë, dy më pak se lideri Ballkani kurse Dukagjini qëndron në pozitën e gjashtë me 30 sosh.

Në anën tjetër, dy pozitat e fundit të tabelës Liria, respektivisht Fushë Kosova kanë ndarë pikët në “Përparim Thaçi”.

Ndeshja përfundoi ashtu siç nisi meqenëse asnjëra skuadër s’ia doli t’i konkretizonte rastet.

Liria mbetet në fund me vetëm 10 pikë, dy më pak se Fushë Kosova që zë pozitën e nëntë.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit