- Advertisement -
Drita ka shënuar fitoren e katërt radhazi në Albi Mall Superligë dhe të pestën në këtë edicion. Skuadra e drejtuar nga trajneri grek Akis Vavalis, në kuadër të javës së 9-të ka shënuar fitore si mysafirë në Suharekë në përballje me Malishevën, me rezultat 3:1. Goli i parë u shënua në minutën e 41-të, kur Dreni Kryeziu shënoi autogol pas harkimit të Blend Fazliut. Paraprakisht Drita e gjeti rrugën e golit edhe në minutën e 7-të përmes Astrit Thaçit, por ai u anulua nga VAR-i. Epërsinë në 2:0 e shtoi Besnik Krasniqi para shkuarjes në pushim, në minutën e tretë të kohës shtesë.
Malisheva e nisi më mirë pjesën e dytë dhe arriti ta ngushtojë epërsinë në minutën e 58-të përmes Elom Nyavedji, me gjuajtje me kokë. Ndërkohë rezultatin përfundimtar 3:1 e vendosi Muharrem Jashari, në minutën e 10-të të kohës shtesë. Fitore të rëndësishme ka arritur edhe Feronikeli 74, që e ka mundur Fushë Kosovën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat bindës, 3:0. Golat për “Niklin” i shënuan Ibrahim Cërvadikut në fund të pjesës së parë, Jakup Berisha nga penalltia, në minutën e 65-të, derisa tre minuta më vonë Florent Avdyli vendosi rezultatin përfundimtar.