Ylli i Malishevës, Drilon Hazrollaj, do ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës në futboll.
20-vjeçari është ftuar nga përzgjedhësi i ri i “Dardanëve”, Franco Foda, për dy ndeshjet miqësore të muajit mars, ndaj Armenisë dhe Hungarisë.
“Dueli Sportiv”, mëson se Hazrollaj ka vendosur që të luajë për Kosovën.
Ai ka qenë në mes të dy “zjarreve”, pasi për të është interesuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë.
Zbulohet se Hazrollaj në fund e ka dëgjuar zemrën, e cila i ka rrahur më fortë për vendin e tij të lindjes, Kosovën.
Sulmuesi i krahut ka shënuar 15 gola këtë edicion me Malishevën në elitën e futbollit kosovar, kurse në të gjitha garat ka 17 gola e nëntë asistime në 24 ndeshje.
Për të është raportuar se ka ofertë zyrtare nga një klub nga Rusia e cila është 1.7 milionë euro.
Vera pritet të jetë e nxehtë, me Hazrollajn që sipas të gjitha gjasave do të transferohet në ndonjë klub të madh evropian, e Malisheva pritet të marrë miliona nga shitja e tij.