Parlamenti gjerman mbajti një seancë speciale për të shënuar 30-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem boshnjakë. Në sallë ishin të pranishëm dy të mbijetuar, ambasadorët e Bosnjës dhe Kosovës në Berlin.
Deputeti gjerman Michael Brand (CDU) tha se është e gabuar të thuhet që lufta e parë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore ishte ajo në Ukrainë, duke theksuar se Serbia, e mbështetur nga Rusia, kishte nisur luftëra që në vitin 1991 kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe më pas Kosovës.
“Evropa nuk kishte qëndrim të qartë për këto luftëra. Kishte vetëm fjalë, në vend që të veprohej,” theksoi ai.
Brand përmendi edhe një deklaratë të hershme të Aleksandar Vuçiqit:
“Nëse ju e vrisni një serb, atëherë ne vrasim 100 myslimanë,” duke e cilësuar si simbol të vazhdimësisë së dhunës, propagandës dhe lidhjeve të tij me Putinin.
Deputetët kritikuan ashpër rolin e bashkësisë ndërkombëtare dhe qëndrimin e dobët të Evropës ndaj aleancës serbo-ruso-kineze.
Një fjalim prekës mbajti edhe deputetja Jasmina Hostert, e lindur në Sarajevë, e cila humbi dorën në luftë. Ndërkohë, tensione u shkaktuan kur një deputet i ekstremit të djathtë relativizoi gjenocidin në Srebrenicë.
Më 23 maj 2024, OKB shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, me Gjermaninë si nismëtare të Rezolutës.