Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka thënë se njëra prej arsyeve të largimit të mjekëve nga Kosova janë kushtet e punës dhe pagat e vogla.
Sipas Dreshaj shëndetësia deri tani nuk ka qenë prioritet qeverisës në asnjë qeverisje.
I pyetur se cilat do të jenë hapat e parë në qeverisjen e Haradinajt, ai u shpreh se hapi i parë në shëndetësi duhet të jetë decentralizimi dhe jo centralizimi.
“Nëse shkoni dhe analizoni në Odën e Mjekëve që aty krijohet certifikata për të ikur jashtë vendit, njëra prej arsyeve të largimit janë kushtet e punës dhe paga e vogël. Dua të iu them se deri më sot shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë prioritet qeverisës si asnjë qeverisje, Aleanca kurrë nuk ka qeverisur me ministri, Qeverinë e kemi pasur, por ministrinë e Arsimit nuk e kemi pasur. Realisht dua të iu them se Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë kurrë s`kanë qenë prioritet në asnjë qeverisje. Karakteristikë e përgjithshme e këtyre dy ministrive është që nuk fillohet gjithçka nga e para”, ka deklaruar Dreshaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ndërkohë, Dreshaj thotë se në qeverisjen e tij të ardhshme do të bëhen sigurimet shëndetësore.
“Hapi i parë është decentralizimi i shëndetësisë jo centralizimi qysh është bërë në statusin aktual që e ka pru kjo ministri, duhet t`iu kthehet përgjegjësia e vendimmarrjes drejtorëve të klinikave, të iu jepet kompetencë dhe të iu kërkohet përgjegjësi për punët e tyre, duhet të fillojmë menjëherë me sigurime shëndetësore për shkak se pa sigurime shëndetësore nuk ka shërbime shëndetësore cilësore”, u shpreh Dreshaj.