Trepça ’89 ka shënuar fitore në shtëpi ndaj Drenicës (3:1), derisa Dukagjini më shumë vështirësi ka mposhtur Malishevën (1:0), në kuadër të xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës.
Skuadra mitrovicase gjatë tërë kohës ishte më e mirë se Drenica, duke shënuar fitore në fund me rezultat komod 3:1.
Pas vetëm dy minutave lojë, vendasit kaluan në epërsi me një gol të bukur të Egzon Fazliut.
Ndërsa, ishte Fatty që dyfishoi epërsinë pas një aksioni të shpejtë për të qetësuar tifozët vendas të pranishëm në ndeshje, rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.
Trepça ’89 vazhdoi me këtë formë edhe gjatë pjesës së dytë, duke shënuar golin e tretë me anë të sulmuesit Rilind Namani (47’).
Ndërsa, e tëra që arriti të bëjë Drenica ishte goli i nderit i shënuar nga Osman Mëziu tre minuta më vonë.
Pas kësaj fitore, Trepça ’89 zë pozitën e tetë me 37 pikë, derisa Drenica renditet në fund me 23 sosh dhe tani zyrtarisht bie në Ligën e Parë.
Në ndeshjen tjetër, Dukagjini me shumë mund ka shënuar fitore minimale ndaj Malishevës.
E tërë ndeshja ishte e barabartë, me vendasit ndoshta që ishin pak më të rrezikshëm por deri vonë nuk gjetën rrugën drejtë rrjetës.
Sulmuesi Otto John bëri heroin me një gol të bukur katër minuta pa përfunduar koha e rregullt pas një asistimi të Marcel (86’).
Pas kësaj fitore, Dukagjini ngrihet në pozitën e katërt me 44 pikë derisa Malisheva zë pozitën e shtatë me 39 sosh.