Kreu i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, në fundvitin e vitit 2021 pati thënë se 2022-ta do të njihet si vit i disiplinës në institucionin të cilin e drejton.
Megjithatë, nuk po dëshmohet edhe si vit i transparencës sa i përket punësimeve brenda ShSKUK-së.
Në një konkurs të hapur në nëntorin e kaluar për dy pozita, si zyrtar ligjor dhe zyrtar i lartë për paga, të parën e fitoi një i afërm i shefit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqit.
I pranuari në punë me iniciale B.K është parë shpesh duke e shoqëruar drejtorin në Ministrinë e Shëndetësisë, madje edhe sa ishte ushtrues detyre. Të njëjtin, Klan Kosova ka rastisur ta shohë edhe brenda administratës qendrore dhe në zyrën e drejtuesit të ShSKUK-së .
B.K ka dy javë prej që ka nisur punën si zyrtar ligjor i QKUK-së.
“Pyetni zyrën e personelit, atje mundeni me i marr informatat”, kështu deklaroi drejtori Valbon Krasniqi.
Përkundër insistimeve të Klan Kosovës për të marrë sqarime shtesë nga Krasniqi, një gjë e tillë nuk u bë.
Se B.K tashmë e nënshkroi kontratën e punës është konfirmuar jo zyrtarisht edhe nga sektori i personelit të QKUK-së, prej ku u tha se ishte pikërisht drejtori i ShSKUK-së që e formoi vetë komisionin vlerësues për pranim.
Klan Kosova merr vesh se për këtë punë nuk ka informacion as bordi i ShSKUK-së.