19.4 C
New York
Monday, August 18, 2025

Buy now

Drejtori i Radio Kosovës e fton Jeta Xharrën në debat, kërkon që edhe Prokuroria ta hetojë rastin

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, e ka ftuar Jeta Xharrën në debat publik.

Në një postim të gjatë, Halili ka deklaruar se është i gatshëm edhe për përballje ligjore, dhe i ka kërkuar Prokurorisë që ta hetojë rastin dhe akuzat që ai ka bërë.

Halili me disa postime pretendoi se BIRN ka përfituar mbi 2 milionë euro ndër vite nga RTK, dhe se jashtëligjshëm po e synojnë rikthimin në televizionin publik.

BIRN i mohoi këto pretendime duke i quajtur shpifje.

Postimi pa ndërhyrje:

“Fakte, jo shpifje, mbrojtja ime është LIGJI dhe TRANSPARENCA. E vërteta është në anën e PUBLIKUT

Falënderoj të gjithë kolegët, qytetarët dhe miqtë për mbështetjen që më keni dhënë këto ditë dhe për mesazhet e dërguara. Po ashtu, një falënderim të veçantë ia drejtoj Organizatës “Iniciativa për Drejtësi dhe Transparencë” me projektin “Sinjalizuesi”, e cila publikisht ka konfirmuar se rasti im përbën një rast tipik të sinjalizimit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (Nr. 06/L-085), si më poshtë.

Deklaratat e mia publike bazohen në pretendime të arsyeshme dhe të mbështetura në dokumente konkrete, të cilat janë pjesë e interesit publik dhe nuk kanë asgjë personale.

Kaq ka mjaftuar: vetëm dy postime publike me dokumente e fakte konkrete, që përfaqësojnë vetëm një përqindje fare të vogel të dyshimeve të bazuara për shkelje ligjore në RTK, dhe menjëherë janë ndalur cicërimat e orkestruara të fushatës baltosëse, linçuese, të mbushura me shpifje, seksizëm e mizandri, por pa asnjë dokument apo argument të bërë publik kundër meje.

Kërcënimet me padi të tipit SLAPP nuk më bëjnë aspak përshtypje, sepse kam në dispozicion një arsenal faktesh dhe dokumentesh konkrete që dëshmojnë për implikime dhe shkelje të vazhdueshme ligjore.

TRANSPARENCA dhe LIGJI janë mbrojtja ime.

Publikisht e ftoj drejtoreshën e BIRN-it, znj. Jeta Xharra që të përballemi në një debat publik, në RTK ose në cilin do medium që ajo zgjedh.

Në këtë debat do të diskutojmë mbi pretendime të arsyeshme dhe të bazuara në fakte/dokumente, për:

Procedurat e vjeljes së milionave të taksapaguesve përmes produksionit të znj. Xharra dhe produksioneve tjera të jashtme që e kanë gjunjëzuar financiarisht RTK-në me grumbullim të boxheve milionëshe.

Dyshimet e arsyeshme dhe të bazuara për shkeljet e ligjit për RTK-në, kurdisjet në tenderë, malverzimet, marrëveshjet korruptive të konkretizuara brenda ditës pa konkurs, tenderët njëburimor, caktimin e çmimeve nga operatorët e jashtëm, kushtëzimet, presionet deri te shantazhet.

Kontratat e dëmshme të trashëguara nga ish-menaxhmentet e RTK-së dhe heshtjen publike dhe kompromiset e bëra me të vërtetën për keqpërdorimet në RTK.

Do të flasim edhe për çështjen e monopolit të “Devollëve” në RTK, si dhe rastet e hulumtuara e trajtuara nga unë e të proceduara në organet e drejtësisë, përfshirë edhe kontratën e dëmshme të RTK-së me “Devollët”.

Do të flasim sesi metodologjia e shkatërrimit të RTK-së me produksionet e jashtme ka qenë e njëjtë sikurse në ndërmarrjet tjera publike.

I bëj thirrje Prokurorisë, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që të nisin hetime të menjëhershme për pretendimet dhe faktet e publikuara.

Ftoj mediat të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë detyrimin ligjor për mbrojtjen e sinjalizuesve, duke garantuar hapësirë të barabartë e shmangur gjuhën denigruese.

Unë jam i gatshëm të përballem publikisht me shpifësit, në çdo medium, vetëm me fakte dhe dokumente, sepse e VËRTETA është në anën e PUBLIKUT dhe të LIGJIT.

PS: Asnjë nga shkrimet dhe pretendimet e mia, të faktuara me procesverbale dhe dokumente zyrtare, nuk është publikuar në mediat e znj. Jeta Xharra apo në RTK. Përkundrazi, në portalet e saj, janë bërë shkrime dhe reagime me linçime e fushata fyese, pa u prezantuar faktet që kam ngritur, duke keqpërdorur median dhe duke shkelur parimet etike e profesionale të gazetarisë. Në një rast mi kanë dërguar pyetjet ndërsa e kanë postuar shkrimin pa qëndrimin tim vetëm 35 min pasi i kisha pranuar ato pasi që as që i kisha parë për shkak të agjendës ditore. Kujtoj këtu që unë jam zyrtar i lartë publik dhe kam takime të vazhdueshme me palët e brendshme dhe të jashtme si drejtor i Radio Kosovës. Kaq për nivelin etik dhe profesional dhe tendencën e pastër për denigrim.

Paramendoni, deri para pak kohësh këta mbanin vulën e “verifikimit të fakteve” ndërsa nuk publikojnë fakte kur bëhet fjalë për të bëmat e tyre.

Të ngjashme

Të fundit