Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka vizituar sot tre policët kufitarë që ishin rrëmbyer nga Serbia më 14 qershor dhe u liruan të hënën.
Sipas njoftimit të Policisë, Hoxha “shprehu mirënjohjen dhe i inkurajoi ata për qëndresën dhe besimin e treguar, si dhe falënderoi ata për punën dhe angazhimet e tyre në kryerjen e detyrave policore me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës e krimeve ndër-kufitare”.
Në fund të njoftimit thuhet se Hoxha dhe menaxhmenti i PK-së presin që të njëjtit t’u kthehen punëve dhe angazhimeve policore.
“Drejtori i përgjithshëm së bashku me manaxhmentin e PK-së që vizituan policët, ndër të tjera u ofruan mbështetjen dhe përkrahjen morale për ta dhe presin që të njëjtit t’u kthehen punëve dhe angazhimeve policore në të mirë të vendit e qytetarëve pa dallim”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Sot, më 29.06.2023, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Gazmend Hoxha, së bashku me drejtorin e Departamentit të Kufirit z. Ragip Bunjaku, vizituan tre policët e PK-së, të cilët ishin të kidnapuar nga forcat e armatosura serbe më 14 qershor.
Drejtori Hoxha u shpreh se ndihet i gëzuar që tre policët e Policisë Kufitare të PK-së, të cilët ishin kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Republikës së Kosovës, tashmë janë liruar. Ata janë mirë dhe iu kthyen familjes së tyre, kolegëve e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai shprehu mirënjohjen dhe i inkurajoi ata për qëndresën dhe besimin e treguar, si dhe falënderoi ata për punën dhe angazhimet e tyre në kryerjen e detyrave policore me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës e krimeve ndër-kufitare. Familjet e policëve të rrëmbyer me 14 qershor e tashmë të liruar, i uroi që festën e Kurban Bajramit e pritën së bashku me më të dashurit e tyre.
Drejtori i përgjithshëm së bashku me manaxhmentin e PK-së që vizituan policët, ndër të tjera u ofruan mbështetjen dhe përkrahjen morale për ta dhe presin që të njëjtit t’u kthehen punëve dhe angazhimeve policore në të mirë të vendit e qytetarëve pa dallim.