Me synim për rritjen e efikasitetit në punën e policëve të lagjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha ka ndarë 19 vetura të reja Hybride, për mbulimin e zonave sektoriale, në të gjitha drejtoritë rajonale.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate zyrtare.
“Përmbushja e objektivave të Strategjisë së Policimit të drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, si dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes me automjete zyrtare”.
“Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj komunitetit, për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me qytetarët, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale”, shkruhet tutje në komunikatë.