Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se që nga fillimi, rekomandimi i IKD-së ka qenë të forcohen mekanizmat aktual për konfiskimin e pasurisë.
“Nëse e shohim në retrospektivë që nga koha kur është premtuar ndërtimi i sistemit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ne kishim rekomanduar që të mos shkonim me sistem të tillë të konfiskimit, përderisa kanë munguar rezultatet me dy sistemet e para të konfiskimit. Ne kishim rekomanduar formcimin e mekanizmave aktual dhe ndërtimin e një sistemi ku ndiqet pasuria e jo personi. Përkundër kësaj Qeveria përmes koncept-dokumentit i kishte hapur rrugë miratimit të ligjit”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Problematika sipas tij në ligjin e fundit për themelimin e Byrosë për konfiskimin e pasurisë është mënyra e zgjedhjes së drejtorit të saj.
“Problematika ka edhe në Ligjin e fundit, kjo konsiston në mënyrën e zgjedhjes të drejtorit të Byrosë. Mënyra si e përcakton ligji në Kosovë konsiderohet i dështuar. Është njëjtë si me OShP-në, një komision e propozon dhe më pas Kuvendi me shumicë të thjeshtë e përzgjedh një kandidat të caktuar. Mënyra e zgjedhjes së drejtorit, nëse i shohim kompetencat sipas ligjit të ri, e shohim se sa është e rëndësishme pavarësia objektive në zgjedhjen e tij, kjo pasi i njëjti ka kompetenca shumë të gjera e pothuajse të plota. Është përgjegjës për ta filluar, mbyllur rastin, për të rifilluar verifikim, etj. Të gjitha kompetencat në fund të fundit janë të koncentruara pra te drejtori i Byrosë dhe nëse përzgjedhja e tij nuk ka pavarësi të plotë nga institucionet politike, do t’i mungojë edhe pavarësia politike”, ka deklaruar Shala.
Shala ka thënë se zgjedhja e tij përbëhet nga një organ kolegjial që përbëhet nga 4 përfaqësues politikë.
“Ne e kemi një organ kolegjial që do ta mbikëqyrë Byronë dhe që i njëjti do të propozojë edhe kandidatët për t’u përzgjedhur në pozitën e drejtorit, që do t’ia propozojë Kuvendit. Organi kolegjial përbëhet nga 4 përfaqësues politik dhe vetëm një i pavarur. Tre prej këtyre zgjedhen nga Kuvendi dhe 1 nga Ministria e Financave pra edhe në vet organin kolegjial, politika e ka shumicën dhe në anën tjetër varëisht prej propozimit Kuvendi zgjedh me shumicë të thjeshtë. Dihet që atë e ka secila mazhorancë e cila ka mundur të formojë një Qeveri, pra i mungon pavarësia objektive dhe rrezikon të instrumentalizohet nga çdo Qeveri”.