Anipse nga provinncat artistike dhe letrare mund të gëlojnë tema, subjekte e personazhe që potencialisht mund të shërbejnë për të ilustruar padrejtësinë që po u bëhet krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, bota reale mbetet ende “e virgjër” në këtë drejtim, pasi nuk është regjistruar asnjë rast precedent që t’i përgjigjet realisht situatës në fjalë.
Sot, UÇK-së, mishëruese e përpjekjes së popullit për liri dhe rezistencë, madje e një populli që përpëlitej për të shmangur një projekt të qartë gjenocidal, po i ndajvishet faji që u takon pikërisht atyre që e ideuan dhe e zbatuan atë projekt: aparatit shtetëror serb. Kështu, ndodh një inversion i plotë i roleve: viktimat shënjohen si fajtorë, ndërsa fajtorët projektohen si viktima.
Nga kalvari i gjatë dhe voluminoz i veprimtarisë kulturore e artistike, një autor dhe një vepër dallohen si ilustrimi më i saktë i kësaj padrejtësie që po u bëhet ish-luftëtarëve të lirisë: Franz Kafka. Veçanërisht kryevepra e letërsisë botërore “Procesi”, por edhe krijimi tjetër gjenial i tij, “Në Koloninë Penale”. Ndonëse jehona e kësaj të fundit, ashtu si e shumë krijimeve të tjera letrare, qofshin të Kafkës apo të autorëve me gjenialitet të krahasueshëm, është zbehur dhe eklipsuar nga aura mbizotëruese e “Procesit”.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ngjan frikshëm me “Procesin” kafkian. Jo si një metaforë e rastësishme letrare, por si strukturë mendore dhe institucionale. Te Kafka, Josef K. arrestohet pa iu shpjeguar qartë arsyeja; akuzat janë fluide, procedurat të paqarta, instancat të pakapshme dhe drejtësia gjithmonë një hap përpara, por kurrë e arritshme. Pikërisht kështu funksionon edhe Gjykata Speciale: akuzat riciklohen, riformulohen, justifikohen retroaktivisht dhe zvarriten pafund, ndërsa të akuzuarit mbahen peng jo vetëm fizikisht, por edhe simbolikisht.
Padrejtësia këtu nuk demonstrohet në trajtë të dhunës brutale, por si dhunë burokratike, e ftohtë dhe formalisht “korrekte”. Kafka e kishte vënë re herët se forma më e sofistikuar e dhunës është ajo që ambalazhohet si procedurë. Në këtë kuptim, Gjykata Speciale nuk vepron si arbitër neutral i së drejtës, por si mekanizëm që ekziston për të justifikuar vetë ekzistencën e tij, pavarësisht rezultateve që prodhon.
Në tregimin “Në Koloninë Penale”, dënimi është i paracaktuar dhe makina vetëm e gdhend fajin në trup. Edhe në rastin e UÇK-së, dënimi moral duket i gdhendur që në fillim; procesi gjyqësor shërben vetëm për ta bërë atë të pranueshëm në planin ndërkombëtar. Ironia tragjike, kafkiane deri në dhimbje, qëndron në faktin se nuk po gjykohen vetëm individë të veçantë, por vetë ideja e rezistencës së armatosur shqiptare, përmes kriminalizimit të bartësve të saj.
Së këndejmi, qasja e Gjykatës Speciale ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së nuk është as e re, as e papritur. Një vështrim, qoftë edhe i përciptë, i ecurisë së procesit na dëfton se pothuajse nuk ka seancë që të mos shoqërohet me shkelje procedurale, ligjore apo humane. Dhe fakti që pikërisht kjo instancë pritet të shpallë verdiktin për krerët e UÇK-së përbën një ogur seriozisht shqetësues.
Formalisht flitet për përgjegjësi individuale. Por që nga ngritja e aktakuzës, drejtuesit e UÇK-së dhe rrjedhimisht vetë UÇK-ja, janë trajtuar si një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Për këdo që e ndjek procesin me sy profesional, është e qartë se Gjykata Speciale po i afrohet fundit të saj e ngarkuar me kontradikta që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e gjithçkaje që ajo pretendon të përfaqësojë.
Fillimisht, kjo gjykatë u themelua për të adresuar pretendimet e raportit të Dick Marty-t. Kur këto nuk prodhuan asgjë të provueshme, narrativi u zhvendos: u pretendua se do të gjykoheshin të gjitha krimet e luftës, pa dallim etnie. Në praktikë, krimet serbe në Kosovë mbetën jashtë fokusit, ndërsa në bankën e të akuzuarve u ulën vetëm shqiptarë. Kështu, ajo që u paraqit si gjykatë universale, rezultoi të ishte një etnike.
Këtu shfaqet edhe silogjizmi i rrezikshëm që po na imponohet. Nëse luftëtarët dhe lufta e UÇK-së kualifikohen si kriminale apo terroriste, atëherë, sipas së njëjtës logjikë, edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë duhet vënë në diskutim. Pse të gjykohen luftëtarët e UÇK-së, ndërsa të absolvohen ata që ndërhynë ushtarakisht në mbështetje të po asaj lufte?
A po na imponohet ideja që vrasjet, djegiet dhe krimet sistematike të kryera nga forcat serbe në Kosovë të relativizohen si “qëllime shtetërore”, ndërsa rezistenca shqiptare të etiketohet si kriminale? Apo, më saktë, që projekti gjenocidal i Serbisë të rishkruhet si i drejtë, madje edhe humanitar, ndërsa lufta çlirimtare të shpallet devijim moral?
Në këtë realitet, ish-luftëtarët e lirisë nuk janë thjesht të akuzuar. Ata janë personazhe kafkiane, të futur në një proces që nuk synon drejtësinë, por normalizimin e padrejtësisë. Dhe kur padrejtësia normalizohet, ajo pushon së qeni skandal dhe shndërrohet në sistem. Pikërisht aty, historia nuk rishkruhet me forcë, por me vendime “ligjore”.






