Home Opinione Drejtësia është pasqyrë e shoqërisë, si në fushat tjera – mundet më mirë

Drejtësia është pasqyrë e shoqërisë, si në fushat tjera – mundet më mirë

0
Drejtësia është pasqyrë e shoqërisë, si në fushat tjera – mundet më mirë

Shkruan: Ardian Bajraktari

Në fushën e drejtësisë, sfidë vazhdon të jetë zbatimi i ligjeve. Ne kemi legjislacion të avancuar, por vazhdon të ketë ngecje në zbatimin e tij.

Viti 2023 u karakterizua me një seri vrasjesh, fatkeqësisht, një pjesë e viktimave ishin gra, madje një pjesë e konsiderueshme e kryerësve të veprave penale, përfshirë vrasjet, grabitjet por jo vetëm, ishin përsëritës të veprave penale, apo recidivistë.

Kjo dëshmon se politika ndëshkimore ka dështuar.

Po ashtu, përgjatë këtij viti, kishte sulme dhe presion të eksponentëve politikë në adresë të sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial. Madje, kishte ankesa për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi disa ligje dhe ajo nga disa eksponent shihet si pengesë e synimeve politike.

Mos – miratimi i Kodit civil, si dhe fakti që njëra nga pozitat kryesore të sistemit të drejtësisë, ajo e Kryeprokurorit të Shtetit, është me Ushtrues detyre, po ashtu janë dështim.

Kishte disa tentativa për reforma në fushën e drejtësisë, por, një pjesë jo e vogël e tyre u vlerësuan se nuk ishin në pajtim me kushtetutën.

Në aspektin e krimeve të luftës, si për hetime por edhe ngritje të aktakuzave, përfshirë edhe ato për gjykim në mungesë, ky vit ka qenë ndër vitet më efikase.

Po ashtu, para pak ditëve Gjykata Kushtetuese njoftoi se tri propozim- amendamentet kushtetuese për procesin e vetingut, me disa ndërhyrje të vogla, në dy prej tyre, kaluan filtrin e kësaj Gjykate, dhe si të tilla u vlerësuan se nuk i pakësojnë të drejtat e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës.

Lajm i mirë padyshim, por sfidë mbetet miratimi i amendamenteve për veting, sepse kërkohen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të komuniteteve pakicë, gjë e cila, në këtë fazë, vështirë se mund të arrihet.

Në vitin 2024, përveç kodifikimit të fushës së drejtësisë civile, shpresoj dhe pres të bëhen hapa konkret në drejtim të reformave në drejtësinë administrative dhe atë të punës, po ashtu shtim të efikasitetit të organeve ligj-zbatuese, si dhe sa më pak sulme dhe presione në drejtim të tyre.

Nuk thuhet kot se drejtësia është pasqyrë e shoqërisë. Ashtu siç mundet arsimi, ekonomia, perspektiva e të rinjve në Kosovë dhe fushat tjera të jetës tonë të jenë më mirë, mundet edhe drejtësia të performojë më mirë.

Exit mobile version