32.5 C
New York
Monday, June 30, 2025

Buy now

Drashkoviq me akuza ndaj Vuçiqit: Serbia duhet të njohë realitetin e Kosovës

- Advertisement -

Ish-politikani serb dhe ish-ministri i Jashtëm, Vuk Drashkoviq, ka deklaruar se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndryshuar rrënjësisht që nga fillimi i karrierës së tij si lider shtetëror.

Në një intervistë për gazetën malazeze Pobjeda, Drashkoviq ka thënë se Vuçiqi i viteve 2012, 2013 dhe 2014 nuk ka lidhje me atë që është sot.

“Ai është një njeri tjetër. Në atë kohë besoja se ai donte vërtet një kthesë,” tha Drashkoviq, duke kujtuar një artikull të Vuçiqit të publikuar në gazetën Danas, ku ky i fundit e pranonte se politika e viteve ’90 ishte e gabuar dhe e verbër, dhe se udhëheqja e atëhershme nuk kishte kuptuar ndryshimet pas rënies së Murit të Berlinit.

Drashkoviq tha se kishte mbështetur angazhimin e Vuçiqit për evropianizimin e Serbisë, për integrimin euroatlantik dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën – përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit më 2013.

Por, sipas tij, këto përpjekje u sabotuan jo nga pushteti, por nga vetë opozita dhe kisha serbe.

“Tre peshkopë të Kishës Ortodokse Serbe mbajtën një ceremoni përkujtimore për nënshkruesit e gjallë të Marrëveshjes së Brukselit. Opozita e qëlloi me gurë në vend që ta përkrahte. Nga viti 2014 e këndej, unë kam qenë opozita e vetme ndaj Vuçiqit, në shumë drejtime.”

Ai shtoi se ka qenë zëri i vetëm që ka kërkuar publikisht që Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, si dhe që Serbia të anëtarësohet në NATO.

“Kam paralajmëruar Vuçiqin të mos mashtrojë popullin me rrugë, spitale e shkolla, sepse nuk jetojmë vetëm me bukë, por edhe me frymë. E kam krahasuar këtë me tundimin e Krishtit nga djalli në shkretëtirë.”

Sipas Drashkoviqit, sot Serbia po përjeton një rënie të thellë morale dhe kulturore.

“Asnjëherë më parë fryma, morali dhe arsyeja e shëndoshë nuk kanë qenë kaq të varrosura. Gjuha është në rrezik, kultura mungon. Dhe çdo mbrëmje, nga goja e vetë presidentit e deri te bashkëpunëtorët e tij, dëgjojmë se qytetarët që protestojnë janë ustashë, nazistë, plehra, spiunë të huaj. Kjo është rënia më e madhe e Serbisë”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Të ngjashme

Të fundit