Kështu parasheh draft-udhëzimi administrativ për shkarkimin e liderëve lokalë, me të cilin mëtohet hapi i radhës për shtensionim të situatës në veriun me shumicë serbe, ku shefa janë udhëheqësit shqiptarë.
Dokumenti i Ministrisë së Pushtetit Lokal me 9 faqe e 7 nene, është në konsultim publik, para se të finalizohet në takimin e javës së ardhshme të grupit punues.
Megjithatë, me atë që është përpiluar deri tash, parashihet që përgjegjësi i iniciativës ta njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal për mbledhjen e nënshkrimeve, dhe të marrë pastaj nga ai ose nga ministria, të dhënat për numrin e votuesve.
Ai do të ketë afat 30 ditë për t’i mbledhur fizikisht firmat e qytetarëve që e duan shkarkimin e kryetarit, ndërsa nuk parashihet nënshkrimi elektronik.
Lista përmban shtatë lloj të dhënash për nënshkruesit, të cilat në fund dërgohen në Kuvendin Komunal, dhe verifikohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Nënshkrimet e pavlera largohen, dhe nëse bie numri nën 20% e votuesve, jepet afat shtesë edhe 10 ditë për iniciativën. Ndërsa nëse kalohet pragu, organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga detyra.
Qeveria është ithtare e kësaj metode për heqjen e Erden Atiqit, Lulzim Hetemit, Ilir Pecit dhe Izmir Zeqirit, nga pozitat e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.
Dy të fundit, që vijnë nga PDK kanë thënë se preferojnë dorëheqjet.
Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë thënë se kryetarët shqiptarë të punojnë nga objekte alternative, por janë shprehur pro zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, brenda këtij viti.