Në këtë mbledhje janë prezantuar edhe diskutimet e rekomandimeve të KQZ-së në Komisionin Ad-Hoc të Kuvendit.
Kryetari i Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, Abelard Tahiri, ka thënë se konsensusi brenda partive ekziston dhe se janë të gatshëm që së shpejti draftin ta dërgojnë për në Kuvend.
“Kemi një lloj konsensusi brenda këtij komisioni për trajtimin e çështjeve të rëndësishme e të cilat do ta bëjnë edhe më efikas këtë proces. Ne e kemi përmbyllur me një afat të caktuar dhe besoj që kjo do të jetë punëtoria e fundit para se të fillojmë me draftimin e ligjit për zgjedhjet nacionale”, tha Tahiri.
Nënkryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi, tha se do të marrin për bazë rekomandimet e OSBE-së në mënyrë që procesi të përmbyllet me sukses, por edhe gjetjet e misionit të BE-së.
“Komisioni Ad-Hoc i themeluar nga Kuvendi i Kosovës si rrjedhojë e deklaratave të nënshtruara nga përfaqësuesit e partive politike, ka një mandat dhe që buron nga kjo deklaratë dhe ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor duke marrë shkas nga rekomandimet e Misionit të Vëzhguesve të BE-së pa u kufizuar në këto rekomandime, por që gjithsesi në funksion të procesit të organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se janë të gatshëm ta ndihmojnë komisionin për këtë çështje, duke përgëzuar atë për punën e bërë.
“Kjo tregon përkushtimin e Komisionit Ad-Hok për të shtyrë këtë proces përpara në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të plotë. Besoj që ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ofron një bazë të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, megjithatë diçka siç është diskutuar dhe siç është rekomanduar nga shumë palë ka nevojë por edhe një mundësi për të forcuar këtë kornizë ligjore dhe për të ofruar edhe më shumë në standardet ndërkombëtare për zgjedhje”, ka thënë ai.
Kjo punëtori është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë./EO/