Lajme

Drafti i Asociacionit dhe krahasimi me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015

By GAZETA SCANNER 1

November 15, 2023

Që nga momenti kur kryeministri Albin Kurti e pranoi draftin e asociacionit nga emisarët euro-amerikanë, deklaroi se është shumë më i mirë se marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.

Por, këto dy marrëveshje dhe drafti aktual konsiderohet që nuk janë dokumente të krahasueshme, pasi marrëveshja e 2013 dhe 2015 janë dokumente që shtrojnë rrugën për krijimin e një drafti. Pavarësisht kësaj, Belgëzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale thotë se draftit jozyrtar që është publikuar përmban elemente nga marrëveshjet e kaluara.

“Nuk ka ekzistuar statut në vitin 2013 dhe 2015, është hera e parë do të thotë që Kosova e ka pranuar një statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja e 2013 dhe 2015 kanë qenë më shumë parime të përgjithshme të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, nëse i referohemi atij statuti që po qarkullon në media atëherë mund të shohim që faktikisht edhe në këtë draft statut janë marrë pjesë të marrëveshjes së 2013 dhe të marrëveshjes së parimeve të vitit 2015”, ka thënë Kamberi.

E njohësi i procesit të dialogut, Visar Xani, thotë se kryeministri këto krahasime po i bënë për kalkulime politike.

“Më shumë e përdor për konsum elektoral dhe një retorikë politike, një metodë për të treguar se pse nuk janë pranuar 2013 dhe 2015 dhe pse tash është e pranueshme 2023. Prandaj kjo më shumë është një lloj kalkulimi i tij politik se sa një lëshim i tij ose një metodë, më shumë e kuptoj një metodë e tij politike se sa ndonjë lëshim”.

Qe nga 21 tetori kur u bë e ditur për ekzistencën e draft statutit të asociacionit ende nuk është dhënë ndonjë informacion zyrtarë për përmbajtjen e tij.