Tash e sa kohë, nuk është duke u diskutuar nëse asociacioni do të bëhet ose jo, tani po diskutohet në lidhje me atë, se kush është duke e shkruar draft-statutin e tij, i cili pritet të prezantohet në takimin e nivelit të lartë më 2 maj në Bruksel.
Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka pranuar që ai ta shkruaj draft-statutin dhe se ndërmjetësuesit i kanë thënë se draftin do ta shkruaj ekipi menaxhues.
Neni 2 i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së Parë të vitit 2013, obligon që grupi i menaxhimit duhet të krijohet nga të dy palët dhe se në mesin e detyrave e ka edhe hartimin e statutit.
“Të dy palët do të krijojnë një Grup Menaxhues për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë, duke përfshirë termat e referencës të përcaktuara nga Komiteti Zbatues. Këto Terma të Referencës do të përfshijnë ndër të tjera përpilimin e draft statutit. Grupi Menaxhues do të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave veriore dhe do të themelohet pas miratimit nga autoritetet kompetente të Kosovës”.
Në lidhje me situatën e krijuar, në një përgjigje për tëvë1, ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se i tërë procesi do të duhet të fillonte me krijimin e grupit menaxhues.
“Së pari është dashur të themelohet grupi menaxhues. Është absurde që kryeministri të thotë se nuk e di se kush po e shkruan statutin. Pastaj ai grup të koordinohet me Ministrinë e Administrimit të pushtetit lokal”, ka thwnw Mustafa.
Politologu Dritëro Arifi thotë se draftin e statutit të asociacionit po e shkruan dikush nga vendet perëndimore.
Ditë më parë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në një intervistë në tëvë1 kishte deklaruar se drafti për asociacionin do të shkruhet jashtë Kosovës.