Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka treguar për aktivitetin kriminal të 22 të arrestuarit në aksionin “Qielli i thyer” të martën, ku bënë pjesë edhe Shemsi Bahtiri, i cili si anëtar i VV-së kishte fotografi të përbashkëta me Albin Kurtin dhe zyrtarë të lartë të kësaj partie.
Në dosjen e prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregohet se ky grup kriminal trafikonte drogën nga Amerika e Jugut, Irani dhe Turqia në rajonin e Gjilanit, Prizrenit dhe Pejës.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të lartpërmendurit nga fillimi i 2019-ës deri më 3 qershor 2025 duke qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike si kokaina, heroina e marihuan, nga Shtetet e Amerikës së Jugut, Iranit dhe Turqisë për në Kosovë, kanë kryer vepra penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, me qëllim të përfitimeve financiare për vete”, ka shkruar “Betimi për Drejtësi”.