26.8 C
New York
Friday, July 11, 2025

Buy now

Dosja: Çfarë deklaruan policët dhe dëshmitarët për rastin e Agon Zejnuallahut?

- Advertisement -
Policët e dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut në Lipjan dhe dëshmitarët e rastit kanë dhënë rrëfimet e tyre para prokurorit lidhur me natën kritike. Në Dosjen e Prokurorisë janë përfshirë veprimet e policëve dhe rrëfimet e tyre dhe dëshmitarëve për sjelljet e Zejnullahut.

Për një muaj do të qëndrojnë në paraburgim rreshteri policor Ibrahim Nela dhe katër zyrtarët tjerë policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.

Ata dyshohen për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan, gjatë arrestimit të tij të hënën në mesnatë, pasi disa qytetarë e kishin raportuar atë në Polici për sulm.

Televizioni “Dukagjini” ka siguruar Dosjen e Prokurorisë për këtë rast dhe deklarimet e të dyshuarve dhënë para prokurorit të shtetit.

Rreshteri Nela ka deklaruar se derisa kanë qenë duke biseduar me Zejnullahun për ta qetësuar, ai ka dalë me vrull nga vetura dhe për ta ndalu,  Nela ka thënë se e ka kapur nga krahu.

“Ndërkohë kanë reaguar edhe zyrtarët policor tjerë për ta futur nën kontroll dhe të njëjtit i kemi vendosur prangat. Gjatë tërë kohës i njëjti ka rezistuar duke mos i afruar duart dhe duke gjuajtur me shqelma edhe pse ka qenë i shtrirë me gjoks për toke, por vlen te ceket se qytetari ka qenë i ushtruar fizikisht dhe ka pasur forcë shumë të madhe edhe pse në pamje të parë nuk dukej dhe kjo ka qenë arsyeja që është dashur të përdorët forca duarthatë për ta futur nën kontroll”, ka thënë Nela.

Sipas të dyshuarit Nela, pasi i kanë vendosur prangat, tani të ndjerin janë munduar ta ngrisin në pozitën ulur, por aty kanë parë që gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Edhe të dyshuarit tjerë kanë përshkruar momentin e vendosjes se prangave tek Zejnullahu. Ata kanë deklaruar se kanë asistuar rreshterin dhe se në ato momente të gjithë zyrtarët policorë kanë përdorur forcën, siç e kanë quajtur, “duarthatë”, për ta vënë nën kontroll tani të ndjerin.

Ndërsa para prokurorit dëshmi kanë dhënë edhe dëshmitarë të këtij rasti. Njëri nga ta, që ka inicialet G.B, ka thënë se rreth orës 00:00 ka qenë në veturën “Golf 7” dhe duke kaluar kishte parë tani të ndjerin Agon Zejnullahu i cili ishte afër një veture “Tiguan” dhe dëshironte të hynte në atë veturë.

Dëshmitari ka thënë se e ka marrë Agonin dhe është munduar ta qetësojë, ndërsa tashmë i ndjeri, sipas dëshmitarit kishte thënë “largomi se po më ngucin”.

Dëshmitari tutje ka rrëfyer edhe momentin kritik.

“… unë i kam njoftuar zyrtarët policorë që të mos e ngucin, sepse Agoni nuk ka fuqi për të rezistuar, ndërsa e kam dëgjuar Agonin duke ju thënë policëve “mos më lidhni se nuk kam bërë kurgjo” ndërsa në momentin që zyrtarët policorë ishin mbi trupin e Agonit dhe njëri nga ta i kishte vendosur gjurin në shpinë tek pjesa e qafës duke e shtypur për toke, atëherë ju ka thënë “nuk muni me më lidh se unë punoj sigurim” dhe pas këtyre fjalëve unë e kam marrë një shufer metalike të cilën ja kam afruar zyrtarit policor sepse i kishte rënë në tokë dhe aty i kam parë dy apo tri tuba shkumë në tokë dhe ju kam thënë zyrtarëve policorë lene mos e mundoni se nuk është në gjendje me ba kurrgjë, mirëpo asnjë zyrtar nuk ka folur me mua…”, ka thënë dëshmitari G.B.,.

Dëshmitarë në natën kritike qëlluan edhe prokurori Ardian Emini dhe bashkëshortja e tij, gjyqtarja Elvira Emini, të cilët thanë se kishin dalë për të ecur.

Prokurori Emini ka deklaruar se gjatë tërë javës së kaluar kishte qenë prokuror kujdestar dhe se në kohën kur ishte duke ecur me bashkëshorten, është kontaktuar nga Policia për t’iu dhënë udhëzime lidhur me një rast.

Këtë moment e ka përshkruar bashkëshortja e prokurorit, e cila thotë se është goditur në kokë nga Zejnullahu.

“…deri sa ishte duke biseduar në telefon, unë u koncentrova në rrugë dhe vazhduam te ecim, dhe për njëherë i kam vërejt hapat e atij personi dhe pasi i kam dëgju hapat, jam mundu mu largu pak, por ishte e kotë sepse ai personi më goditi pas kokës, dhe përnjëherë iku, e kaloj rrugën dhe doli prapë në mes të dy korsive duke vazhduar me sjelljet e tij”, ka thënë Elvira Emini.

Kurse prokurori Emini tutje ka deklaruar se Zejnullahu vazhdimisht ka ndalur dhe penguar veturat, duke tentuar që të hynte në disa prej tyre.

Të ngjashme

Të fundit