Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin për Çështje Administrative padinë për anulimin e vendimit të qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, nr. 02/273, të datës 31.10.2025, për miratimin e projektligjit mbi ndarjet buxhetore të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Së bashku me padinë, AVONET-i ka propozuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme të sigurisë, me qëllim që të pezullohet ekzekutimi i vendimit të qeverisë në detyrë deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata.
Ky propozim është ngritur në bazë të nenit 99 dhe 100 të Ligjit për konfliktet administrative, duke u arsyetuar se zbatimi i vendimit do të shkaktonte dëme të rënda dhe të pariparueshme ndaj rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe interesit publik të Republikës së Kosovës
Në padinë e dorëzuar, AVONET-i thekson se qeveria në detyrë me rastin e miratimit të vednimit në fjalë ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht me nenin 72, si dhe me nenet 28, 29 dhe 31 të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, të cilat kufizojnë veprimtarinë e një qeverie që ushtron funksionet vetëm për çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje. Sipas analizës ligjore të AVONET-it, miratimi i Projektligjit për ndarjet buxhetore përbën një akt me karakter administrativ dhe politik, i cili tejkalon kompetencat e një qeverie në detyrë. Për më tepër, theksohet se kryeministri dhe disa ministra të kabinetit qeveritar tashmë janë në funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, çka përbën shkelje të parimit të ndarjes së pushteteve dhe ndalimit të ushtrimit të dy funksioneve publike njëkohësisht.
Përmes kësaj padie, AVONET-i kërkon nga gjykata që të anulojë vendimin e qeverisë në detyrë si të paligjshëm dhe antikushtetues, si edhe të pezullojë efektet e tij deri në vendimin përfundimtar, duke garantuar respektimin e Kushtetutës, ligjit dhe parimit të shtetit të së drejtës






