Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka reaguar pas dorëheqjes së Lindita Nikollës si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ku ka thënë se si nga pikëpamja njerëzore e miqësore shpreh keqardhje të thellë.
Konjufca ka thënë përvoja, komunikimi, profesionalizmi dhe korrektësia e Nikollës mundësuan thellim të raporteve, “ashtu siç i ka hije institucioneve tona legjislative të dy shteteve tona vëllazërore.”.
Konjufca i ka uruar asaj shëndet dhe suksese në angazhimet e ardhshme.
“Homologes, mikes, motrës sime të dashur Lindita Nikolla, i uroj nga zemra shëndet dhe suksese në angazhimet e saj të mëpasshme, të cilat jam i bindur se do t’i vijojë me profesionalizëm të lartë dhe i uroj shëndet të plotë. Jam i lumtur që pata mundësinë të punoj me znj. Nikolla dhe dua ta falënderoj që me punën dhe qasjen e saj vendosi një obligim të domosdoshëm për çdo kryetar kuvendi të ardhshëm në vendet tona, atë të bashkëpunimit të pakursyer, me dashamirësi, mirëbesim dhe angazhim maksimal”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dha dorëheqje të premten nga kjo detyrë, në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar.
Në fjalën e saj para deputetëve, ajo tha se vendimin e mori për shkaqe shëndetësore.
“Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit, me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon”, tha Nikolla.
Ajo kërkoi nga deputetët që largimi i saj të mos spekulohet politikisht dhe e cilësoi vendimin si të padëshiruar, por të pashmangshëm.
pashmangshëm.