Sonte në Pressing është diskutuar për dorëheqjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, atë që e pret këtë subjekt politik dhe zhvillimet tjera politike në vend, ku në studio janë Baton Haxhiu, Dukagjin Gorani, Blerim Latifi, Valon Syla e Ilir Mirena.
Haxhiu thotë se Memli Krasniqi ka qenë një kryetar që e kreu punën më të vështirë për arsye se dy udhëheqës të kësaj partie janë në Hagë.
“Një kryetar që e kreu punën më të vështirë në këto 4 vite, për arsye se i ka pas dy udhëheqës në Hagë dhe një parti që është dashtë ta mirëmbajë. Duke qenë peng i vendimeve të mëdha, sepse kur flen brenda partisë e mendon te Thaci e Veseli e ke të vështirë ta ndërtosh autoritetin që duhet për ta udhëhequr një parti. Këto kanë qenë pengesat serioze të Memli Krasniqit”, tha Haxhiu.
Tutje ai tha se për shkak që e gjithë kjo periudhë është lidhur me Hagën, Krasniqi nuk ka mundur të bëjë mrekulli në PDK.
“Për faktin që gjithë kjo periudhë është lidhur me Hagën dhe të gjithë kanë shpresuar që nuk do të zgjasë procesi aq shumë, vendimet e tyre kanë qenë ad-hoc ose sa për të krijuar një tranzicion politik deri në momentin kur të kthehen. Duke qenë peng i kësaj situate, Krasniqi nuk ka mundur të bëjë mrekulli në PDK dhe as veprime që realisht e ndërton një gjeneratë të re politike apo një vizion të tij”, tha ai.






