Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave që, sipas tij, shtrembërojnë luftën çlirimtare të Kosovës, duke i cilësuar ato si pjesë të një narracioni të Rusisë dhe Serbisë.
Sipas Haxhiut, nuk bëhet fjalë për diçka që bëhet pa vetëdije, por tha se këta persona janë “dorë e zgjatur e Serbisë”.
Ai në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, tha se ata implementojnë programin e Serbisë për luftën tonë çlirimtare.
“Ky është narracioni i Rusisë, i Serbisë dhe këta individë po e mbajnë atë narracion dhe atë propagandë. Këta janë me vetëdije, asnjë prej tyre nuk e bën pa vetëdije. Këta janë dorë e zgjatur e tyre për të implementuar programin dhe narracionin e Serbisë për luftën tonë çlirimtare”.
“Kur dikush e devijon një luftë çlirimtare të këtij populli, pas gjithë asaj sakrifice dhe ka përpjekje sot me e deviju luftën tonë çlirimtare në narracionet e Rusisë dhe Serbisë, nuk mund të jenë asgjë tjetër veçse dorë e zgjatur e Serbisë”, tha Haxhiu./Klankosova.tv






