Derisa ecën rrugëve të fëmijërisë, Muradije Muriqit para syve i dalin kujtimet e bukura, që pjesë të vetes i pati vetëm deri kur u bë 11-vjeçe.
Jeta në Pejë ishte e bukur dhe kuptimplotë për të deri kur arriti këtë moshë. Gjithçka iu kthye përmbys në ditën e parë të vitit 1971, kur një lajm i kobshëm i mbërriti në pragun e shtëpisë.
“Diku në orën 15 në 11 të natës vijnë Policia te dera, trokasin, del nana, dalim ne fëmijët, kur dalim jashtë shohim njerëz që e kanë rrethu shtëpinë krejt edhe metëm të stepur, nuk dishim çka po ndodhë por thellë në zemër e dishim që diçka e keqe ka ndodhë. Në moment ai thotë ‘më vjen shumë keq, më vjen shumë rëndë që mu më ka taku me ardhë me ju lajmëru, mundësisht mbledhi fëmijët, burrin ta kanë vra”, ka thënë Muradije Muriqi, Aktiviste e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.
Ndonëse e mitur, Muradija e kishte kuptuar mirë se nga ai moment hasmëria tashmë kishte prekur edhe familjen e saj.
“E kom pas një lidhje të jashtëzakonshme me babën sepse në shkollë kam qenë nxënësja më e mirë në Pejë dhe ai kishte ni dashni shumë më të madhe për mu sepse si nxënëse u dallojsha dhe kish dëshirë shkollën dhe ma jepte njëfar përparësie për gjithçka”. “E vështirë, e tmerrshme, e papërshkrueshme që nuk ia kisha dashtë me i ndodhë kërkujt. Do të thotë na e pritshim si fëmijë babën me ardhë me na gëzu me diçka, ata na prunë lajmin që e kanë vra”, ka theksuar Muradije Muriqi, Aktiviste e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.
Me vrasjen e të zotit të shtëpisë, dorasi i la jetim 10 fëmijët e tij, pothuajse të gjithë të mitur. E, me kalimin e kohës, Muradija, bashkë me gjashtë vëllezërit dhe tri motrat nisën të përballen me presionin e njerëzve për t’u hakmarrë. “Ia kam lënë Zotit”. Kështu i përgjigjej nëna e Muradijes secilit që synonte ta nxiste për të nxjerrë hak.
Por, fëmijët e edukuar nga nëna e babai që njerëzit duhet dashur e kurrsesi urryer, nuk kishin se si t’i dëgjonin zërat e ligë.
Ata për plot 19 vjet nuk deshën të hakmerren, pritën me supe të rënduara deri kur Muradijen e pyeti një mik i saj nëse kishte dëgjuar rreth një iniciative për pajtim të gjaqeve, e cila kishte pak ditë që kishte nisur.
Ajo e ndjeu se kishte ardhur momenti ta falte gjakun e babait dhe vendosi e vetme që për hirë të rinisë së Kosovës ta shtrinte dorën e pajtimit. Por për vendimi nuk i tregoi askujt prej familjarëve.
“Erdhën në shpi, nana ishte hutuar sepse nuk e diti për çka kanë ardhë se shumë njerëz, studentë shumë, intelektualë shumë. Hyjnë brenda dhe tu bo muhabet unë i thash profesor Antonit kom vendos me falë gjakun e babës, nana veç më ka këqyr njëherë, qysh thojnë sikur me pikë prej qiellit. Thash po po, unë këta burra e trima i kam thirrë jo me bisedu, por me ua falë, me shtri dorën edhe me ia falë gjakun. Atëherë u çu Bajram Kelmendi në këmbë edhe tha më kujtohet si sot ‘unë po krenohem shumë që jom rugovas, po krenohem shumë që jom prej një Rugove kreshnike edhe po më vjen mirë që Isufi ka lanë kësi lloj fëmijësh e kësi familjesh, ju lumtë’ edhe ia nisi me qajt, nuk mujti me fol mo, më mori ngryk më shtrëngoi”, ka deklaruar Muradije Muriqi, Aktiviste e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.
Veprimi fisnik që bëri, dhe prezenca e intelektualëve të rrallë të kohës, ia krijuan Muradijes një ndjesi krejt të veçantë.
“U ndjeva disi shumë e madhe, menova që krejt Kosovën e bona përnjëherë Shqipëri e Kosovë, edhe i bona krejt trojet bashkë, qasi ndjesie. Harrova që kam pasë babë dhe u futa në atë nostalgjinë, në atë dashninë e atyre njerëzve që i kisha në shpi me studentë dhe profesor”, ka rrëfyer Muradije Muriqi, Aktiviste e Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.
Atë ditë shkurti të vitit 1990, Muradija kishte pasur mysafirë në shtëpi intelektualë si Anton Çetta e Bajram Kelmendi, që tashmë kishin marrë drejtimin e një iniciative të nisur nga të rinjë kosovarë për pajtimin e gjaqeve.
Kështu rasti i babait të Muradije Muriqit ishte ndër të parët e kësaj iniciative pajtimi, e cila më vonë do të shndërrohej në lëvizje gjithëpopullore mes shqiptarëve nën sundimin jugosllav.
Dora e pajtimit pashmangshëm duhej të shtrihej që të siguronte bashkimin, e pak më vonë të ndihmonte çlirimin.
“Ideja ka rrjedhur realisht nga Have Shala, një ish-nxënëse e imja e Gjimnazit të Pejës, e cila më duket moshën 18-vjeçare e ka festuar në burg, ka hyrë në burg para se me i pas 18 vjet. Ajo ka folur me Myrvete Dreshën. Shumica e iniciatorëve janë ish të burgosur politikë. Pastaj janë takuar atë ditë në Pejë me disa, Flamur Gashin, Adem Grabovcin, Lulëzim Etemaj dhe mbrëmje janë shkuar në familje të Din Grabovcit, vëllait të Adem Grabovcit dhe janë marrë vesh që duhet bërë diçka, duhet filluar Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve. Kanë shkuar te profesor Zekirja Cana dhe ai në kohë e thotë një shprehje për mua shembullore, thotë unë do të jem me juve, por më mirë se unë këtë punë e kryen profesor Anton Çetta. Kanë shkuar te profesor Anton Çetta, i cili në atë kohë veç i kishte mbushur 70 vjet dhe me kënaqësi e ka pranuar”, ka shtuar Riza Krasniqi, Veprimtar për pajtimin e gjaqeve.
Këta veprimtarë e nisën iniciativën pa e ditur se sa e madhe do të bëhej. Rrugës ajo u përhap masivisht anembanë vendit.
Çeta e Anton Çettës me krushqit tjerë të pajtimit u rritë aq shumë sa që odat nuk i zinin më. Kështu lindi nevoja që tubimet masive të bëheshin nëpër livadhe.
Më 26 prill 1990, u mblodhën rreth 300 mijë shqiptarë te Xhamia e Bubavecit në Malishevë, ku u pajtuan dhjetëra gjaqe. Ky ishte ndër tubimet e para masive, por jo i fundit.
Si asnjëherë më parë në histori, atëherë e tash, Lëvizja arriti t’i mbledhë më 1 maj mbi gjysmë milioni shqiptarë te “Verrat e Llukës” në Deçan. Atë ditë u falën më shumë se 100 gjaqe.
Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë prej tyre që falën, thanë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.
Kuvendi në “Verrat e Llukës” mbetet si momenti bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës.
“Është e pashpjegueshme Mehmet. Janë do gjana në jetë që ndodhin. Na tash mundemi me supozu, qysh ki me i mbledhë ti gjysmë milioni kur s’kemi pasur telefona mobil, s’kemi pasur informata, nuk e di qysh i kemi shpërndarë informatat. Por suksesi i madh i lëvizjes, uniteti i madh i lëvizjes bëri që atë ditë të mbledhen, që të gjitha rrugët atë ditë kanë çuar të Verrat e Llukës. Populli e pa që lëvizja është e ndershme dhe kur populli bindet që një lëvizje është e ndershme, që udhëheqësit janë të ndershëm e bënë të pamundurën. Qysh kanë ardhë gjysmë milioni? Ose nuk di qysh me sqaru veten atë ditë që kurrë më shumë nuk kam qenë i rrethuar me armatën serbe, e kurrë ma i sigurtë nuk jom ndjerë”, ka thënë Riza Krasniqi, Veprimtar për pajtimin e gjaqeve.
Sot, fusha në “Verrat e Llukës” ka krejt pamje tjetër. Por aq rëndësi kishte ajo ngjarje për shqiptarët para 34 vjetësh e tregon historia e njërit prej organizatorit të Kuvendit, Hilmi Muçaj.
Ai nuk kishte pranuar ta braktiste tubimin madhështor, as pasi kur po atë ditë mori lajmin që vajza e tij sapo kishte vdekur në një fatkeqësi.
“Unë kam qenë në falje të gjakut ku ka qenë masa shumë e madhe këtu dhe më kanë thanë që vajza të ka ra në kanal dhe ka vdekë. Të them të drejtën nuk e kam ni veten mirë. Meniherë jam kthjellë dhe nuk jom marrë mo me kurgjo hiç, veç jom kanë me disa gazetarë suedez dhe nuk i kom kallxu kërkujt hiç, është kry Kuvendi, dhe mas Kuvendit jam shku te shpija, çka me shku, miq e dashamirë aty. Deri në fund kom qëndru sepse isha i angazhuar, atë ditë e kemi varrosë… Evladi osht evlad, por kur janë çështjet madhore siç ishte e Kuvendit e kom ndje që është diçka më e veçantë”, ka treguar Hilmi Muçaj, Një nga organizatorët e Kuvendit te “Verrat e Llukës”.
Por si sqarohet suksesi aq i madh i lëvizjes për t’i zhdukur hasmëritë ndër shqiptarë?
“Shumë herë thonë si sqarohet ky sukses kaq i madh i lëvizjes? Sepse i kishte disa shtylla. Një ndër shtyllat kryesore ishte harmonia fetare sepse lëvizjes në Pejë edhe në Kosovë i printe profesor Anton Çetta, profesor Mark Krasniqi. Dihej struktura fetare e popullsisë, por kurrë, ju betohem nuk është diskutuar në atë kohë për fe. E vërtetë është që për pajtime janë shfrytëzuar edhe kishat e xhamiat, edhe Bibla edhe Kurani, në çkado që njerëzit kanë besu. Për ne ka qenë me rëndësi interesi kombëtar, për ne ishte me rëndësi të arrihej pajtimi, fare s’ka qenë ku do të arrihet, si do të arrihet”, ka theksuar Riza Krasniqi, Veprimtar për pajtimin e gjaqeve.
Madje, gjaku i parë ishte falur me Kuran, atë në gjuhën shqipe, që e posedonte imami i atëhershëm, Ajni Ramadani nga Strellci i Deçanit.
Ai e kujton me kthjelltësi ditën e 10 shkurtit 1990 në një familje në Raushiq të Pejës.
“Ata e kanë bo si kusht, ne do ta falim, ne do të bëjmë çmos me falë dhe me i dhanë fund hasmërisë, por me një kusht, që me na u betu kjo familje që nuk ka për t’i vazhduar zënkat. Dhe ata kanë pranuar të betohen, por ku ta gjejmë Kuranin. Atëherë ka ardhur profesori i nderuar Niman Alimusa tani i ndjerë, ka ardhur në ora 10 të natës, ka thanë Kuranin ua gjejë unë vet dhe ka ardhur te unë dhe e ka marrë. Pra unë do ta ruaj këtë Kuran, madje do t’ua lë amanet edhe pasardhësve të mi që çojnë në muze të Kosovës, sepse e ka atë rëndësinë e vet historike, por edhe rëndësi tjetër morale, intelektuale”, ka deklaruar Ajni Ramadani, Ish-imam në Strellc.
Përveç ndershmërisë së udhëheqjes dhe harmonisë fetare, si shtyllë që i garantoi sukses Lëvizjes vlerësohet edhe roli i pazëvendësueshëm i grave shqiptare në pajtimin e gjaqeve.
“Bajram Kelmendi, në një pajtim nuk na falën. Kur u krye pajtimi po i thotë Myrvetes dhe Havës tash shkoni ju poshtë te gratë. Me të thanë të drejtën nuk besova fort, bile i thash Bajram, nuk po mundemi në sobë të burrave, tha hajt Rizë se e sheh ti. Javën tjetër u fal gjaku. Do të tjotë Hava, Mirvetja, Zogia, këto të gjitha që kanë qenë në atë kohë ishin ekip shumë i fuqishëm i motrave tona, kanë qenë arma shumë e fuqishme, mos të them arma më e fuqishme në pajtimin e këtyre gjaqeve sepse kur shkonin këto e puthnin dorën e një plakut, plakes i bojshin be falna se Kosovës po i vyen gjaku, plaku e dike që është interes kombëtar edhe ish vështirë me i refuzu”, ka shtuar Riza Krasniqi, Veprimtar për pajtimin e gjaqeve.
Udhëheqja e pajtimit të gjaqeve nga intelektuali i rrallë e modest, Anton Çetta, nënkuptonte sa privilegj po aq edhe sakrificë për vajzat dhe bashkëshorten e tij.
“Si familje shpeshherë kemi vuajtur mospraninë e babit, shpeshherë ka qenë i marrur në Polici, ka qenë mama vetëm me mua dhe motrën, kemi pritur orë të tëra të mbrëmjes, ndoshta edhe gjatë gjithë natës, por gjithë kjo kur e kemi ditur qëllimin na ka lehtësuar sado pak këtë mungesë të babit. Për mua është nderë, është krenari, privilegj që kam pasur një baba të tillë”, ka përfunduar Donika Çetta, Vajza e Anton Çettës.
Angazhimin për zbutjen e hasmërisë mes shqiptarëve, Anton Çetta nuk e ndali me të përfunduar Lëvizja masive më 1991.
Ai ndërmjetësoi pajtime deri në fund të jetës. Madje ngatërresën e fundit e pajtoi në shtator të 1995-ës, një javë para se të jepte frymën e fundit.
Numri i pajtimeve të arritura, sipas të dhënave, është 2 mijë 511. Prej tyre 1 mijë e 169 janë gjaqe, 477 plagë dhe 865 ngatërresa.
Uniteti në popull që solli Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve shtroi rrugën për forcim të rezistencës kundër pushtetit jugosllav, e cila më pas ishte vendimtare për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.