Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli të detajuar në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një automjet në të cilin është zbuluar mall i padeklaruar dhe i fshehur.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë inspektimit të automjetit janë hasur 360 kilogramë mish qafe derri (pa kocka) dhe 96 bombola gazi për përdorim shtëpiak, secila me përmbajtje prej 190 gramësh.
“Për mallrat në fjalë, pala nuk ka paraqitur faturë apo dokumentacion përcjellës, dhe si pasojë, ato janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse,” thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK).
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit kufitar, parandalimin e kontrabandës dhe mbrojtjen e interesave ekonomike dhe shëndetësore të vendit,” përfundon njoftimi.
Autoritetet doganore pritet të vazhdojnë me procedurat ligjore për sqarimin e mëtejshëm të rastit.