Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të kontrabandimit me pajisje mjekësore të padeklaruara në pikë kalimin kufitar të Merdarës.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 04:50, ku në një bagazh të një automjeti u zbuluan pajisjet mjekësore si: tetë defibrilatorë të përdorur – Lifepak Medtronic, tre defibrilatorë të rinj – Physio-Control Lifepak CR, dhe dy pako ndihme të parë.
Mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe ndaj rastit po zhvillohet procedurë për kundërvajtje doganore.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik dhe në garantimin që pajisjet mjekësore që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta, të certifikuara dhe të kontrolluara sipas standardeve të përcaktuara”, thuhet tutje në njoftim.