Drejtori i Institutit “Musinë Kokalari”, Visar Ymeri, ka thënë se bazuar në faturën e muajit janar të energjisë elektrike, ai përllogaritet të paguajë 236 euro më shumë në muajin shkurt, kur pritet të hyjnë në fuqi strukturat e reja tarifore.
Ymeri ka treguar se si i erdhi fatura këtë muaj duke bërë edhe llogaritë sa se sa do të duhet të paguaj.
“Kur e kalkulon të njëjtin shpenzim me tarifat e propozuara nga ZRrEE, vlera e faturës mbërrin në 383.06 euro. Kjo pastaj zbret në 266.61 euro pas aplikimit të subvencionit të vënë në dispozicion nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, tha Ymeri
RRITJA REALE MË DOLI 161,8%
Fatura e energjisë elektrike për muajin janar është shpërndarë dje (në kompleksin banesor ku banoj). Për këtë muaj kisha shpenzuar 1543 kWh në tarifën e shtrenjtë A1, dhe 1024 kWh në tarifën e lirë (të natës) A2. Vlera e kësaj fature mujore është 146.32 euro, në të cilën përfshihet edhe TVSh (10.80 euro) si dhe tarifa fikse (1.74 euro).
Kur e kalkulon të njëjtin shpenzim me tarifat e propozuara nga ZRrEE, vlera e faturës mbërrin në 383.06 euro. Kjo pastaj zbret në 266.61 euro pas aplikimit të subvencionit të vënë në dispozicion nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra fatura që sot kushton 146.32 euro do të kushtojë 383.06 euro pas 1 shkurtit, nëse propozimi për tarifa shndërrohet në vendim. Dallimi është 236.74 euro apo shprehur në përqindje rritja është 161.8 %.
Është e vërtetë që subvencioni e ul ndjeshëm koston e faturës. Por të mos harrojmë se subvencioni po ashtu paguhet nga ne, tatimpaguesit. Për me tepër këto tarifa, nëse vendosen, do të mbeten të njëjta deri në prill të vitit 2023. Pra do t’i mbulojnë muajt e mbetur të dimrit dhe të krizës energjetike, muajt e pranverës dhe verës, e më me rëndësi, muajt e dimrit 2022-2023.
A do të vazhdojë edhe subvencionimi në secilën prej këtyre periudhave? Apo në dimrin 2022-2023 do a paguajmë shtrenjtimin drejtpërdrejt e jo të ndërmjetësuar përmes buxhetit? Dhe a do të jetë i njëjti çmim i shtrenjtë i importit siç është sot edhe atëherë? Dhe a do të kemi prapë probleme me gjenerim atëherë siç kemi sot? Me një fjalë tarifat e energjisë po shtrenjtohen për t’u ballafaquar me krizën energjetike e atë të gjenerimit që e kemi sot, dhe po shtrihen, artificialisht, të njëjtat rrethana për një periudhë shumë më të gjatë, kur nuk pritet me i pas të njëjtat rrethana në sistemin e furnizimit me energji elektrike.