Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV), ka mbajtur konferencën e katërt për media gjatë së cilës ka shpalosur të dhënat për mbarëvajtjen e 30 ditëve të fushatës zgjedhore, mbulimin medial, gjuhën e urrejtjes dhe shpenzimet në rrjetet sociale. Po ashtu, DNV ka njoftuar edhe për përgatitjet për monitorimin e ditës së zgjedhjeve me 9 shkurt.
Gjatë kësaj periudhe, përmes mbi 40 vëzhguesve afatgjatë, DnV ka monitoruar fushatën e cila, pavarësisht se është zhvilluar në një mjedis përgjithësisht të qetë, ishte tejet e ashpër në aspektin e diskursit politik si në terren ashtu edhe në hapësirën digjitale. Shpeshherë, fushata u karakterizua nga sulme të ndërsjella, akuza personale dhe përdorimi i termave denigrues, duke krijuar një atmosferë të polarizuar që minon standardet e një gare të drejtë dhe demokratike. Kjo situatë reflektoi edhe në numrin e madh të vendimeve dënuese të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili shqiptoi gjoba të shumta për shkelje të rregullave të fushatës, kryesisht për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe shkeljeve të tjera të kodit të mirësjelljes zgjedhore.
Fushata u zhvillua me një dinamikë të shtuar të aktiviteteve nga dita në ditë dhe një angazhim të subjekteve politike në terren dhe në hapësirat digjitale. Disa incidente kanë shënuar këtë periudhë, duke ngritur shqetësime mbi respektimin e standardeve demokratike. Rastet kryesore të incidenteve përfshijnë hedhjen e mjeteve të forta dhe atyre piroteknike në një tubim në Skenderaj, djegien e materialeve propaganduese të kandidatëve, si dhe disa incidente në komunat me shumicë serbe, të tilla si pengimi i aktiviteteve elektorale në Graçanicë, hedhja e një kokteji molotovi mbi një veturë të KQZ-së, si dhe disa incidente të tjera në veri të vendit. Këto raste dhe akte, jo vetëm që kanë rritur tensionet në terren, por gjithashtu kanë ndikuar në perceptimin mbi lirinë e grumbullimit gjatë fushatës.
Gjatë fushatës zgjedhore, peizazhi mediatik ishte i polarizuar, duke u karakterizuar nga dy aspekte kryesore: partia në pushtet mbajti një qasje vazhdimisht konfrontuese ndaj gazetarëve; ndërsa disa media u perceptuan si të njëanshme në mbulimin dhe raportimet e tyre.
Fushata e këtij viti ka sjellë gjithashtu një mobilizim të madh në rrjetet sociale, me një rritje të konsiderueshme të numrit të postimeve të sponsorizuara dhe shpenzimeve për promovim digjital nga ana e partive dhe kandidatëve. Pavarësisht rritjes së intensitetit të fushatës online, transparenca mbi financimin e këtyre aktiviteteve mbetet çështje e hapur, me monitorimin që ka evidentuar vështirësi në identifikimin e burimeve të financimit dhe kontrollin e shpenzimeve nga organet përkatëse.
Sa i përket pjesëmarrjes së grave në aktivitetet e fushatës, ajo ishte e ulët, qoftë si folëse në tubime apo në debate televizive. Për më tepër, gratë kandidate u përballën me një numër të lartë sulmesh të drejtpërdrejta në hapësirat online, një prirje që tregon sfidat e vazhdueshme në sigurimin e një mjedisi të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.
Fushata në numra
Deri më tani, DnV ka monitoruar 786 aktivitete të subjekteve politike në tërë vendin, prej të cilave 168 janë mbajtur vetëm në javën e fundit. Më së shumti tubime publike ka organizuar Partia Demokratike e Kosovës (206), pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (202), Lëvizja Vetëvendosje (163) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (113). Tubime kanë organizuar edhe partitë nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, ku prin Lista Serbe me 24 aktivitete, si dhe partitë tjera (Za Slobodu Pravdu i Opstanak; Srpski Nardoni Pokret; Srpska Demokratija; Partija Kosovskih Srba; e të tjera).
Liria e grumbullimit
Vëzhguesit e DNV-së kanë raportuar që 30 nga aktivitetet e subjekteve politike, janë mbajtur në kundërshtim me legjislacionin i cili përcakton obligime për paralajmërim të aktiviteteve 24 apo 48 orë më herët.
Palestrat sportive, shtëpitë e kulturës, shkollat e të tjera, ishin gjerësisht vendet e preferuara për organizim të aktiviteteve nga subjektet politike, të cilat 75% të aktiviteteve i kanë zhvilluar në objekte publike.
Pjesëmarrja qytetare në aktivitete
Sa i përket pjesëmarrjes qytetare, pothuajse gjysma e tubimeve ishin të mesme, me deri në 200 pjesëmarrës. Tubimet e vogla me deri në 50 pjesëmarrës përbëjnë 23% të aktiviteteve, kurse tubimet e mëdha me mbi 500 pjesëmarrës janë 15% e numrit të përgjithshëm të aktiviteteve.
Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese
Kjo fushatë është karakterizuar me raste të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese. Pa llogaritur aktivitetet e sotme, në plot 130 aktivitete, apo rreth 1/5 e tubimeve publike të organizuara, është raportuar për raste të një gjuhe të tillë.
Në përqindje, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket aktiviteteve të zhvilluara ku ka pasur gjuhë të urrejtjes – me rreth 21% të aktiviteteve; pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 19% të aktiviteteve; Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18% të aktiviteteve; dhe Partia Demokratike e Kosovës me 14% të aktiviteteve të organizuara, në të cilat ka pasur gjuhë nxitëse apo të urrejtjes.
Fushata në hapësirën online
Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, DnV ka monitoruar gjithsej 679 kandidatë për deputetë, prej të cilëve 447 burra dhe 232 gra. Gjatë monitorimit, janë identifikuar 878 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës.
Nga këto në total, 387 raste apo 44 % e rasteve kanë targetuar gratë e subjekteve politike.
Paralelisht, është bërë monitorimi edhe i 152 portaleve online në gjuhën shqipe dhe Serbe, ku janë identifikuar mbi 38.000 komente të bëra, prej të cilave 5% përmbajnë gjuhë urrejtjeje drejt subjekteve politike. Këto pasqyrojnë praninë e gjuhës së urrejtjes në komunikimin politik, e cila dëmton diskursin publik dhe demokratik të vendit. Po ashtu, gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve për kryeministër është si vijon:
-Albin Kurti – nga 10.164 artikuj ku ai përmendet, 6% përbëjnë gjuhë të urrejtjes
-Bedri Hamza – nga 7056 artikuj ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
– Lumir Abdixhiku – nga 6001 artikuj ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
– Ramush Haradinaj – nga 4121 artikuj ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.
Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 121,385 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të targetuara përfshijnë:
- Fitore Pacolli Dalipi (LVV) – nga 71 artikuj ku ajo përmendet, me 6848 komente, nga të cilat, 19% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
- Besa Kabashi Ramaj (PDK) – nga 44 artikuj ku ajo përmendet me 574 komente, 17% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
- Emrije Bashota (AAK) – nga 1 artikuj ku ajo përmendet me 100 komente, 10% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
- Hykmete Bajrami (LDK) – nga 273 artikuj ku ajo përmendet me 10,117 komente, 9% përbëjnë gjuhë të urrejtjes;
Barazia gjinore dhe gjithëpërfshirja
Pjesëmarrja e grave mbetet tejet e ulët, ku në më shumë se në gjysmën e aktiviteteve është shënuar pjesëmarrje minimale – vetëm në deri 10% të pjesëmarrësve që ishin gra. Sa i përket pjesëmarrjes aktive në garë zgjedhore, në mesin e mbi 160 folësve, vetëm 44 prej tyre ishin gra, apo më pak se 30% prej tyre. Kjo i bie se, mesatarisht, në mes të 7 folësve të fushatë, maksimalisht vetëm 2 prej tyre ishin gra.
Njëjtë, edhe në media është shënuar një prani e ulët e grave. Nga 376 debate të monitoruara, vetëm 22% të pjesëmarrësve kanë qenë gra. Ngjashëm edhe në kronika zgjedhore, ku nga 1230 kronika ku janë paraqitur kandidatët për deputetë, vetëm 14% prej tyre kanë qenë gra. Sa i përket kohëzgjatjes televizive në kronikat zgjedhore, koha e ofruar ka qenë dukshëm më e ulët për gratë krahasuar me burrat. Vetëm 46 minuta, apo 12% e hapësirës televizive, u është dhënë grave.
Mesazhet politike
Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Lëvizja Vetëvendosje e kishte temë bosht të fushatës së saj veriun e vendit dhe mirëqenien sociale, të cilat i trajtoi në rreth 120 nga 160 aktivitetet e organizuara. Në anën tjetër, në aspekt programor, partitë opozitare e orientuan fushatën e tyre drejt arsimit, ekonomisë dhe pagave, infrastrukturës dhe shëndetësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës i adresoi çështjet e arsimit dhe ekonomisë në rreth 160 prej 202 aktiviteteve të saj. Ngjashëm, Partia Demokratike e Kosovës, i trajtoi më së shumti këto dy tema, në rreth 170 prej 206 tubimeve të organizuara; si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që i trajtoi po këto tema në rreth 90 prej 113 tubimeve të tyre.
Sa i përket partive serbe në garë, fushata e tyre ishte më pak e koncentruar në përçim të mesazheve programore e më shumë e përqendruar në sulmet dhe akuzat e ndërsjella për korrupsion. Deri më tani këto parti, fare pak kanë prezantuar plane të qarta politike duke mos trajtuar të drejtat dhe shqetësimet e komunitetit serb.
Liria e shprehjes dhe informimit
Gjatë 30 ditëve të fushatës zgjedhore, janë monitoruar gjithsej 376 debate, prej të cilave kanë dominuar debatet me nga një kandidat/subjekt politik me gjithsej 212 të tilla. Sa i përket pjesëmarrjes në debate sipas partive prinë PDK, e cila ka marrë pjesë në 95 debate, pasuar nga Koalicioni AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA, Konservatorët, Intelektualët, i cili ka marrë pjesë në 92 debate, LDK në 69 debate dhe LVV ka marrë pjesë në 36 debate.
Sa i përket kronikave zgjedhore, subjektet e mëdha kanë dominuar hapësirën televizive. Nga 1754 kronika të transmetuara gjatë 30 ditëve të fushatës, 1389 kronika janë transmetuar për subjektet e mëdha ( PDK-362, LDK-361, Koalicioni AAK/NISMA- 339 dhe LVV 327). Ndërsa, sa i përket hapësirës brenda subjekteve, pjesa më e madhe e kohës gjatë gjithë fushatës i është kushtuar kandidatëve për kryeministër dhe liderëve të listave garuese.
Parandalimi i keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale
Gjatë kësaj fushate, janë evidentuar gjithsej 45 raste të keqpërdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale, të cilat janë evidentuar në aktivitetet e pothuajse të gjitha partive – përfshirë partinë në pushtet në nivel qendror, por edhe komunat ku qeverisin partitë tjera.
Transparenca dhe Financimi i fushatës
Ndonëse të organizuara kryesisht në objekte publike, aktivitetet e subjekteve politike kanë përfshirë materiale, produkte e shërbime që kanë kosto. Shpërndarja e kartëvizitave (612 raste), broshurave (274 raste), rekuizitave (243 raste), pijeve (165 rasteve) si dhe shërbime si zërimi (449 raste), video xhirimi profesional (392 raste), ndriçimi dhe laserët (145 raste) si dhe LED-at e mëdhenj (117 raste) janë disa prej produkteve dhe shërbimeve për të cilat partitë kanë shpenzuar më së shumti. Shfrytëzimi i këtyre shërbimeve dhe materialeve është intensifikuar veçanërisht javën e fundit, në kuadër të aktiviteteve përmbyllëse të subjekteve politike.
Po ashtu, deri më sot janë evidentuar të paktën 19 raste të sjelljes së organizuar të pjesëmarrësve me autobusë apo minibusë.
Shpenzimet për sponsorizim në Facebook: Gjatë kësaj fushate, DnV ka analizuar shpenzimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në rrjetet sociale. Të dhënat flasin për një rritje domethënëse të numrit të postimeve si dhe mjeteve të shpenzuara. Gjatë kësaj fushate kemi pasur rreth 8 mijë postime të sponsorizuara nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre, me mbi 200 mijë euro të shpenzuara. Përgjatë javës së fundit është vërejtur një intensifikim masiv i sponsorizimit dhe shpenzimeve në rrjetet sociale.
Kandidati i LDK-së për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, është kandidati që përgjatë 30 ditëve të fundit, ka shpenzuar për sponsorizim në 153 postimeve Facebook dhe Instagram mbi 18 mijë euro. Pas tij, renditet kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka shpenzuar mbi 17 mijë euro, për sponsorizim të gati 300 postimeve. Në vendin e tretë për më së shumti shpenzime është një parti nga radhët e komunitetit rom, Opre Roma Kosova, që ka shpenzuar pothuajse 16 mijë euro. Pas tyre renditet partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka sponsorizuar më së shumti postime (rreth 900 sosh) në vlerë prej 14 mijë eurosh. Profilet e Memli Krasniqit – me 10 mijë euro; Ramush Haradinajt – me gati 9 mijë euro; profili zyrtar i LDK-së me rreth 8 mijë euro; kandidatit të LDK-së, Krenar Xhaferi – me 5,600 euro; kandidatit të AAK-së, Egzon Kelmendi – me rreth 4 mijë euro; si dhe kandidates së PDK-së, Aurora Berisha – me 3,400 euro; përmbyllin listën e top dhjetë shpenzuesve më të mëdhenj në rrjete sociale për 30 ditët e kaluara.
Neutraliteti institucional
Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës deri më tani, PZAP ka nxjerr gjithsej 222 vendime sa i përket ankesave për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, prej të cilave 125 kanë qenë vendime aprovuese dhe 97 vendime refuzuese. Lidhur me vendimet dënuese PZAP ka shqiptuar në total 654,500 euro gjoba për subjektet politike që kanë kryer shkelje ligjore të Kodit të Etikes. Këto gjoba janë shqiptuar kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike, përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore dhe pengim të gazetarëve. LVV është dënuar 202 mijë e 500 euro gjobë, PDK me 143 mijë e 500 euro gjobë, LDK me 141 mijë e 600 euro gjobë, AAK-NISMA me 81 mijë e 200 euro gjobë, Koalicioni për familjen me 33 mijë euro gjobë, Lista Serbe me 21 mijë e 500 euro gjobë, PLE-Partia Liberale Egjiptiane me 3000 mijë euro gjobë, SRB Demokratija me 12 mijë euro gjobë, Partia Kosovksi SRBA me 7 mijë e 200 euro gjobë, Za Slobodno Pravnu i Opstanak- N.Rashiq me 3 mijë e 500 euro gjobë, Nova Stranka me 1 mijë 500 euro gjobë, IRDK me 1 mijë e 500 euro gjobë, Partia e Ashkalinjëve për Integrim me 1000 euro gjobë dhe Koalicioni VAKAT me 1, 500 euro gjobë.
Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për mbi 70% të aktiviteteve të fushatës. Këtë javë, është shënuar një rast i pengimit të mediave në raportim të procesit zgjedhor, për çka edhe është shqiptuar gjobë nga PZAP-ja për Lëvizjen Vetëvendosje.