Punësimi i anëtarëve të familjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë në pozita publike shpesh ngre shqetësime për transparencën dhe integritetin në procesin e punësimit.
Siç raporton Demokracia.com djali i Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, së fundmi është punësuar në Ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës, “Termokos”.
Djali i ministres së Kurtit, Arbërie Nagavci, Shend Nagavci, është punësuar në Ndërmarrjen Publike të Komunës së Prishtinës, “Termokos”, si Kontrollor i Distribuimit. Demokracia.com e ka konfirmuar këtë punësim në ndërmarrjen “Termokos”, pasi ka kërkuar qasje në listën e të punësuarve të rinj, ku figuron edhe emri i Shend Nagavcit.
Që Shendi është djali i ministres Nagavci, duket qartë edhe nga postimet e saj në rrjetin social Facebook.
Ndërmarrja “Termokos” udhëhiqet nga Kryeshefi Ekzekutiv, Fisnik Osmanin, i cili më parë kishte braktisur postin e asamblistit të LDK-së dhe ishte përzgjedhur si kandidati më i mirë në një konkurs për këtë pozitë. Nga ana tjetër, në një institucion që është nën udhëheqjen e ministrisë së Arbërie Nagavcit, konkretisht në Qendrën e Studentëve, Demokracia.com ka mësuar se është punësuar Besnik Osmani, një familjar i kryeshefit Fisnik Osmani.
Qendra e Studentëve nuk ka pranuar të japë përgjigje lidhur me këtë çështje. Me disa pyetje i është drejtuar edhe NP “Termokos” lidhur me këtë punësim dhe nëse ishte bërë ndonjë marrëveshje për ta punësuar djalin e ministres Nagavci.
Zyra për Informim e Termokosit ka dhënë këtë përgjigje:
“Duke iu referuar pyetjeve tuaja, me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë, ua konfirmojmë se Shend Nagavci ka filluar punën në NP “Termokos” nga 7.02.2024, pasi ka kaluar me sukses të gjitha procedurat e parapara me aktet ligjore në fuqi për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Shend Nagavci është vetëm njëri nga tre të punësuarit në pozitën kontroller distribuimi, si rrjedhojë e konkursit publik të shpallur më 13.12.2023, pasi që të tre kandidatët kanë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me konkursin dhe me aktet ligjore në fuqi. Ju rikujtojmë se natyra e punës së NP “Termokos” është e fushës teknike dhe përveç kuadrit tejet të kualifikuar me nivel të lartë shkollimi dhe përvojë pune, për arsye se një pjesë e konsiderueshme e punës zhvillohet në terren, ndërmarrja aktualisht ka të punësuar 133 punëtorë me shkollim të mesëm (rreth 50% e të punësuarve). Për të qenë më të qartë, edhe personi i apostrofuar sikur edhe çdo i punësuar tjetër në NP “Termokos” paraprakisht është dashur, që detyrimisht të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara me konkurs, të kalojë me sukses të gjitha procedurat e përcaktuara me aktet ligjore në fuqi, para se Komisioni përzgjedhës të përpilojë listën e kandidatëve më të suksesshëm për secilën pozitë, të cilët në bazë të rezultatit të treguar kanë fituar të drejtën e nënshkrimit të kontratës së punës. Andaj, bazuar në punën me përgjegjësi të lartë të Komisionit përzgjedhës nuk e kemi të qartë për çfarë marrëveshje aludoni ju”.
Me pyetje i është drejtuar edhe ministres Nagavci lidhur më atë nëse ka pasur marrëveshje me kryeshefin Fisnik Osmani për punësime të ndërsjellta. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, Nagavci nuk ka kthyer përgjigje.