Djali i Jakup Krasniqit, njëherit edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi u është përgjigjur kritikëve të protestës gjithëkombëtare që u mbajt të premten e 17 tetorit në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, me të vetmin qëllim thirrje për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në Hagë.
Krasniqi teksa pyet se pse po i pengon një kategorie kërkesa për drejtësi, ka theksuar nuk mund të pranojnë që ata që ranë për liri të quhen të mirë, e ata që luftuan deri në fund të këqijë.
“Pse po i pengon një kategorie të caktuar kërkesa për drejtësi? Kush mund të ketë frikë nga kërkesa për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe nga thirrja që drejtësia në Gjykatën Speciale të jetë në përputhje me standardet europiane? Përtej dallimeve politike që mund t’i kemi sot, duhet ta kemi të qartë se çdo familje, çdo dëshmor dhe çdo bashkëluftëtar që prej fillimeve të luftës për liri, janë pjesë e të njëjtës rrugë, të njëjtës sakrificë dhe të njëjtit ideal. Nuk mund të pranojmë që ata që ranë për liri të quhen të mirët, e ata që luftuan deri në fund të quhen të këqijtë”, ka shkruar Krasniqi.
Madje ai tha se “O jemi të gjithë të mirë, sepse ishim bashkë në luftën për liri, o jemi të gjithë të këqij nëse sot e mohojmë atë luftë. Lufta nuk ka përfunduar në vitin 2020, por në vitin 1999. Rrugëtimet pasluftës qoftë politike, qoftë bashkëpunimet apo ndarjet janë pjesë e realitetit demokratik të pasluftës, por ato nuk mund të përdoren për të rishkruar historinë e luftës. Duhet të bëjmë dallimin mes asaj që ndodhi gjatë luftës dhe asaj që ndodhi pas saj. Sepse nëse e humbim këtë vijë ndarëse, e humbim vetë kuptimin e lirisë që e fituam me aq gjak e sakrificë”.
