Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi – djali i Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, aktualisht në paraburgim në Hagë – ka reaguar pas përmendjes së emrit të tij.
Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, ka thënë se një bisedë private dhe të sinqertë me babanë e tij, Jakupin, rreth përfshirjes në politikë nuk mund të barazohet me deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me ndikimin e supozuar të ish-liderëve të PDK-së.
Krasniqi tha se biseda me babanë e tij, Jakupin, mbetet komunikim familjar dhe personal, teksa tha se deklarata e Kurtit vetëm sa e forcon bindjen dhe përçon mesazhin se “ata duhet të vazhdojnë të mbesin në paraburgim duke u thirrur në një ndikim të supozuar politik, pa asnjë bazë”.
“Është e domosdoshme që përfaqësuesit institucionalë të tregojnë kujdes në deklaratat e tyre publike, sidomos kur ato ndikojnë drejtpërdrejt në proceset gjyqësore”.
“Në fund, duhet rikujtuar se Kuvendi i Kosovës u përket të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve. Secili deputet ka të drejtë të votojë sipas bindjes së vet, pa presion dhe pa pengesa. Askush nuk ka të drejtë të uzurpojë fjalën e askujt as me forcë, as me arrogance”.
“Deputetët nuk janë aty për të përmbushur interesat personale të një individi apo të një partie, por për të përfaqësuar qytetarët e vendit”, tha Krasniqi.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, gjatë një interviste të djeshme akuzoi PDK-në duke thënë se ata shkojnë në Hagë shpesh për t’i vizituar dy ish-kryetarët, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për të marrë instruksione politike.
Reagimi i plotë i tij: