Një fëmijë i moshës katër vjeç ka vdekur tragjikisht në fshatin Dardani të Ferizajt.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani në oborrin e shtëpisë, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar.
“Me datën 22.06.2025 rreth orës 18:45, nga stacioni policor në Viti jemi njoftuar se në ambulancën e fshatit Pozheran është dërguar një fëmijë rreth moshës 4-vjeç, i cili është konstatuar pa shenja jete nga mjeku kujdestar. Dyshohet se fëmija është goditur nga një veturë në fshatin Dardani, në oborrin e shtëpisë, ndërsa ngasësi – ka lidhje familjare me viktimën”, ka bërë të ditur Veseli.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj.
Rasti po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe i dyshuari për shkaktimin e aksidentit me fatalitet është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
Në media është raportuar edhe për raportin e viktimës me ngasësin.
Një 21 vjeçar, djali i dajës së viktimës po dyshohet se e ka goditur aksidentalisht 4 vjeçarin për vdekje, pasi nuk e ka parë që i ishte vënë nga prapa.
Familjarët kanë bërë me dije se varrimi do të bëhet, në ora 18:00 në fshatin Mirosalë.