Deputeti Faton Peci, ka folur para hyrjes së seancës së radhë konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që për herë të pestë VV’ja të propozojë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi.
Peci para gazetarëve, nisi deklaratën me “Ditë e re, nafakë e re”.
Ai tha se e drejta për kryetar Kuvendi i takon VV’së dhe është i vetmi që ka të drejtën e nominimit dhe propozimit.
“Ditë e re, nafakë e re mundem me thënë dhe çka do të ndodhë është në dorën e deputetëve.
Qytetari i Kosovës dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësu se kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese dhe është i vetmi që ka të drejtën e nominimit dhe propozimit. Dhe, është e padrejtë që partitë tjera që nuk e kanë fitu këtë të drejtë, me kërku këtë drejtë brenda llojit.
Propozimi mbetet i njëjtë dhe nuk besoj se është në interes të Kosovës të vazhdojmë të zvarriset konstituimi. Sa më shpejt që opozita të bindet se është e drejtë ekskluzive e VV’së që të ketë kandidatin, ne do kemi zhbllokim të situatës”, tha ndër të tjera Peci.