Ipeshkvi i Dioqezës Prishtinë-Prizren, Dodë Gjergji, ka organizuar sonte pritje solemne për Pashkët festive në katedralen “Shën Nënë Tereza”.
Duke uruar besimtarëve katolikë këtë festë të madhe, ipeshkvi Dodë Gjergji ka ftuar për paqe e harmoni.
“Dëshiroj që paqja e Krishtit të jetë në zemrat e jetët tuaja. Çdo njeri është i aftë për të kuptuar një gjë shumë të vërtetë që paqja është më e dobishme, më e mirë se urrejtja e sidomos dashuria. Sigurisht, paqja dhe pajtimi janë më të forta se çdo e keqe që mund të jetë në ambientet dhe frymën që ne jetojmë. Jeta është më e fortë se vdekja. Paçi gëzim dhe lumturi gjithmonë në jetët tuaja”, ka thënë Dodë Gjergji.
Në pritjen solemne organizuar për Pashkët festive nuk u pa askush nga drejtuesit e institucioneve.
Pashkët janë një moment gëzimi dhe shprese, që kujton jetën, rilindjen dhe dashurinë hyjnore.
Data e Pashkëve ndryshon çdo vit, pasi llogaritet sipas një formule që lidhet me ekuinoksin e pranverës dhe hënën e plotë, duke u festuar të dielën e parë pas hënës së plotë që vjen pas 21 marsit.