Disa persona që janë angazhuar në procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025 ende nuk kanë marrë pagesat për punën e kryer, por kjo nuk ka ndodhur për faj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por për shkak të gabimeve nga vetë të angazhuarit në proces.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, vonesat kanë ndodhur për arsye të zakonshme që përsëriten pothuajse në çdo proces zgjedhor, siç janë: Gabime në shënimin e numrit të llogarisë bankare, llogari bankare joaktive dhe llogari bankare që nuk janë personale.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me procedimin e listave në Ministrinë e Financave për pagesat e personave të angazhuar gjatë fazave të ndryshme në procesin zgjedhor dhe ky proces është në përfundim e sipër”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka shtuar se për të gjitha rastet ku ka pasur mospërputhje, janë duke u bërë përmirësimet e nevojshme, me qëllim që pagesat të ridërgohen për ekzekutim në Ministrinë e Financave.