Spanjolli kaloi një sezon fantastik në aspektin individual duke korrur shumë suksese, si titulli i kampionit të Anglisë me Manchester Cityn, e pastaj u bë edhe kampion i Evropës me Spanjën.
Fakti më i rëndësishëm është se Rodri e mori edhe çmimin e lojtarit më të mirë të turneut në Gjermani, ndërsa vazhdoi të jetë mahnitës te skuadra e Pep Guardiolas.
Kësisoj, me votat e gazetarëve – Rodri e mori epitetin e lojtarit më të mirë të botës, duke lënë prapa tre yjet e Real Madridit Vinicius Jr, Jude Bellingham dhe Dani Carvajal, ku të gjithë e bojkotuan ceremoninë shkaku se u ndjenë jo të respektuar.
Real Madridi në përgjithësi vendosi se askush të mos udhëtojë për në Paris pasi mësuan se Vini Jr nuk do të shpallet lojtari më i mirë në botë, shkaku që t’i qëndrojnë prapa yllit brazilian.
28-vjeçari s’mundi t’i përballojë emocionet, ndërsa falënderoi të gjithë që i kanë qëndruar pranë gjatë tërë kësaj kohe.
Rodri përndryshe, u bë lojtari i parë spanjoll që e fiton trofeun e Topit të Artë që nga legjenda Luis Suarez, me këtë të fundit që e arriti këtë sukses në vitin 1960.
Topi i Artë përpos në kategorinë e meshkujve, u dha edhe në kategorinë e grave, ku për herën e dytë radhazi trofeun e gëzoi Aitana Bonmati, e cila ishte mahnitëse vitin e kaluar.
Vlen të ceket se ky është viti i katërt që dikush nga skuadra e Barcelonës e fiton Topin e Artë radhazi në kategorinë e grave.
Ndërkohë, në këtë ceremoni u dhanë edhe shumë çmime tjera. Carlo Ancelotti u shpall trajneri më i mirë në botë për vitin 2024 pasi drejtoi Real Madridin drejt trofeve të rëndësishëm si Liga e Kampionëve dhe La Liga. Në garë ai mposhti De la Fuenten, Xabi Alonson, Pep Guardiolan e Gasperinin.
Talenti i Barcelonës Lamine Yamal ashtu siç pritej, e mori çmimin e Lojtarit më të mirë të ri (pra nën moshën 21-vjeçare), duke hyrë në histori ngase askush s’e kishte fituar këtë trofe pa i mbushur së paku 18 vjeç.
Real Madridi u shpall klubi më i mirë i vitit 2024, kuptohet pasi fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Liga-n, ndërsa në kategorinë e grave ishte Barcelona, kjo e fundit fitoi tripletën sezonin e kaluar.
Ylli argjentinas Emiliano Martinez e fitoi çmimin “Portieri më i mirë i vitit” pasi ndihmoi Argjentinën drejt suksesit në Kupën e Amerikës, si dhe Aston Villan në suksesin historik për t’u rikthyer prapë në Ligën e Kampionëve.