Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe zëvendësministrin, Blerim Sallahu, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 45-të të Zyrtarëve Korrektues.
Në këtë ditë të veçantë kryeministri Kurti tha se, sot, diplomimi i 111 kadetëve është dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt dhe të drejtë, përveç se thjesht një ceremoni.
“Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të Zyrtarëve Korrektues, ne forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se puna në sistemin korrektues është e domosdoshme, me ç’rast përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimin e të dënuarve, përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues, investimin në infrastrukturë, forcimin e njësiteve të specializuara dhe zgjerimin e programeve rehabilituese për të burgosurit.
Disa nga rezultatet e përmendura përfshijnë edhe rritjen e rasteve të parandaluara të kontrabandës, zgjerimin e programeve rehabilituese, rritjen e sigurisë brenda institucioneve korrektuese falë fuqizimit të Njësisë së Inteligjencës, Njësisë Ekonomike dhe Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, mundësi të reja punësimi për të burgosurit në kompani publike e ndërmarrje private, progres në barazinë gjinore duke rritur numrin e grave në Shërbimin Korrektues, si dhe respektimin e të drejtave të të burgosurve, përfshirë rritjen e ditëve të lejuara për vikend në shtëpi dhe lejimin e pakove ushqimore.
Ndërkaq, duke iu drejtuar të diplomuarve, kryeministri shprehu se, përveç se të mbajnë rendin, ata duhet edhe të kontribuojnë në rehabilitimin dhe risocializimin e atyre që janë në duart e sistemit korrektues. Për këtë arsye, kërkohet prej tyre profesionalizëm, etikë dhe angazhim i lartë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e Shërbimit Korrektues dhe të gjithë zyrtarëve që japin kontribut në këtë fushë. Siguria, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtyllat e një shteti të fortë, të qëndrueshëm e demokratik, dhe ju, duke nisur që nga sot, jeni pjesë e kësaj shtylle kaq të rëndësishme”, përmbylli kryeministri, duke i uruar të diplomuarve suksese në rrugëtimin profesional dhe falënderuar për angazhimin e marrë për të shërbyer në vendin tonë me nder e dinjitet.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuari Zëvendësministër, z. Blerim Sallahu,
I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Ismail Dibrani,
Të nderuar drejtorë të Agjencive Ekzekutive,
Të nderuar përfaqësues të misioneve të EULEX-it dhe OSBE-së në Kosovë,
Të nderuar bartës modulësh, zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,
Të nderuar dhe shumë të respektuar kadetë,
Të nderuar familjarë të kadetëve,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Sot është një ditë e veçantë për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe për sigurinë e vendit tonë. Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të Zyrtarëve Korrektues, ne forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese.
Diplomimi i 111 kadetëve sot nuk është thjesht një ceremoni, por një dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të fuqishëm, të sigurt dhe të drejtë. Nga sot, ju do të jeni pjesë e një mekanizmi kyç për shtetin e së drejtës, një mekanizëm që kërkon disiplinë, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë.
Puna në sistemin korrektues nuk është e lehtë, por është e domosdoshme. Përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimin e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi forcuar njësitë e specializuara dhe kemi zgjeruar programet rehabilituese për të burgosurit. E sot që jemi bashkë këtu në këtë ditë të rëndësishme e të veçantë, rezultatet flasin vetë:
-Numri i rasteve të parandalimit të kontrabandës është rritur ndjeshëm, duke dëshmuar angazhimin e shtuar në luftën e përbashkët kundër dukurive negative në vendin;
-Programet rehabilituese janë zgjeruar, duke ndikuar në risocializimin e të dënuarve dhe përgatitjen e tyre për një kthim të suksesshëm në shoqëri;
-Është rritur siguria brenda institucioneve korrektuese falë fuqizimit të Njësisë së Inteligjencës, Njësisë Ekonomike dhe Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve;
-Janë hapur mundësi të reja punësimi për të burgosurit si në kompani publike, po ashtu edhe në ndërmarrje private, duke ndihmuar kësisoj në rehabilitimin dhe integrimin ekonomik të tyre;
-Për herë të parë, kemi arritur progres të dukshëm në barazinë gjinore, duke rritur ndjeshëm numrin e grave që punojnë në Shërbimin Korrektues të Kosovës;
-Kemi ndërmarrë hapa konkretë për respektimin e të drejtave të të burgosurve, meqenëse të burgosurit kanë të drejta edhe pse nuk kanë liri, përfshirë rritjen e ditëve të lejuara për vikend në shtëpi dhe lejimin e pakove ushqimore.
Të nderuar kadetë,
Ju po hyni në një profesion me përgjegjësi të lartë, por edhe me nder të madh. Detyra juaj nuk është vetëm të mbani rendin, por edhe të kontribuoni në rehabilitimin dhe risocializimin e atyre që janë në duart e sistemit korrektues. Për këtë arsye, kërkohet prej jush profesionalizëm, etikë dhe angazhim i lartë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë fuqizimin e Shërbimit Korrektues dhe të gjithë zyrtarëve që japin kontribut në këtë fushë. Siguria, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtyllat e një shteti të fortë, të qëndrueshëm e demokratik, dhe ju, duke nisur që nga sot, jeni pjesë e kësaj shtylle kaq të rëndësishme.
Ju uroj suksese në rrugëtimin tuaj profesional dhe ju falënderoj për angazhimin e marrë për të shërbyer në vendin tonë me nder, profesionalizëm dhe dinjitet!