17 C
New York
Saturday, October 11, 2025

Buy now

Diplomati amerikan Fried: SHBA e frustruar me Kurtin, pezullimi i Dialogut Strategjik është vendim serioz

- Advertisement -

Me pezullimin për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas ish-Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried, po dëshiron ta paralajmërojë Kosovën kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit.

Fried që shërbeu në këtë pozitë nën administratën e George W. Bush, e për disa muaj edhe në atë të Barack Obama-s, beson se pezullimi i Dialogut Strategjik, është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm.

I pyetur për sulmin terrorist në Banjskë, top-diplomati amerikan vlerëson se Kosova duhet t’i ekspozojë botës përpjekjet malinje të Serbisë dhe se marrëdhëniet më të forta me Bashkimin Evropian “do ta ndihmonin Kosovën në përpjekjet për t’u mbrojtur nga një agresion i tillë”.

Në intervistën për Albanian Post, diplomati amerikan, Daniel Fried, vlerëson se administrata e Trump mund të përdorë masa shtesë presioni, si tarifat, dhe se ka potencial për të ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, ndonëse ky proces është “i vështirë, por që mund t’i pëlqejë Trumpit”. Ai vëren gjithashtu se mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë nuk tregon domosdoshmërisht probleme, por më tepër ngadalësi në emërimet e administratës.

Sa për raportet SHBA–Serbi, ai thekson se sinjalet janë të përziera, por se Uashingtoni po tregon gatishmëri për presion ndaj Beogradit, ndërsa strategjia e Vuçiçit për të balancuar midis Perëndimit dhe Rusisë “mund të mos funksionojë më si dikur”.

Albanian Post: Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën, duke shprehur shqetësime për partneritetin me qeverinë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti. Sa serioze është vendimi i Uashingtonit për ta pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën?

Daniel Fried: Asgjë nuk është e përhershme, por pezullimi i Dialogut Strategjik pason frustrimin ndaj qeverisë së kryeministrit Kurti. Është një vendim serioz, por jo i parevokueshëm.

Albanian Post: Çfarë mesazhi po përpiqet të dërgojë SHBA-ja përmes këtij veprimi drejt liderëve në Kosovë?

Daniel Fried: Një pjesë e administratës amerikane po paralajmëron kundër shenjave të vazhdueshme të autoritarizmit nga Kurti dhe ndaj qëndrimeve të tij të ashpra kundrejt komunitetit serb në Kosovë.

Albanian Post: Cili mendoni se është motivi pas këtij vendimi në këtë moment të caktuar?

Daniel Fried: Nuk mund të them me siguri, dhe deklarata e muajit shtator nga ana e SHBA-ve nuk specifikoi ndonjë ngjarje që e shkaktoi vendimin. Natyra e administratës së Trump – veçanërisht dobësia (apo edhe mungesa) e strukturave formale të politikëbërjes dhe fuqia relative e ndikimeve joformale – e bën të vështirë analizën e çështjeve të kohës.

Albanian Post: Përveç pezullimit të Dialogut Strategjik, çfarë masash të tjera mund të ndërmarrin SHBA-të për të shtuar presionin ndaj kryeministrit Kurti?

Daniel Fried: Administrata e Trump ka përdorur tarifat si një mjet politik. Nuk mund të them nëse kjo do të ishte e efektshme në këtë rast.

Albanian Post: A mendoni se Administrata e Donald Trumpit do të luante një rol vendimtar në marrëdhëniet Kosovë–Serbi? Nëse po, si? Nëse jo, pse?

Daniel Fried: Kjo administratë ka aftësinë të shtyjë përpara arritjen e marrëveshjeve, siç ka treguar edhe më parë. Presidenti Trump është angazhuar në përpjekje për të ulur tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ka pretenduar se ka pasur sukses në këtë drejtim. Ai mund të ushtrojë presion për normalizimin e marrëdhënieve – një proces i vështirë, por që mund t’i pëlqejë atij.

Albanian Post: Që nga janari i këtij viti, Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur ambasador në Kosovë. Si duhet interpretuar kjo situatë? Cili mund të jetë shkaku i këtij vonimi?

Daniel Fried: Administrata e Trump ka qenë e ngadalshme në emërimin e zyrtarëve të lartë, përfshirë ambasadorët. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka probleme në marrëdhëniet dypalëshe.

Albanian Post: Dy vjet më parë, në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup paramilitarësh serbë të udhëhequr nga terroristi, Milan Radojiçiç sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova e ka cilësuar sulmin si “terrorist” dhe akuzon shtetin serb për përfshirje, gjë që Serbia e ka mohuar. Për vite me radhë, liderët kosovarë kanë akuzuar Serbinë se vepron në rajon sipas “manualit rus”. Si njohës i çështjeve ruse, si duhet të veprojë Kosova në këtë rast?

Daniel Fried: Serbia është e aftë të organizojë sulme të tilla. Kosova duhet t’i ekspozojë ato. Marrëdhëniet më të forta me miqtë evropianë dhe me Bashkimin Evropian do ta ndihmonin Kosovën në përpjekjet për t’u mbrojtur nga një agresion i tillë.

Albanian Post: Duke u bazuar në pyetjen e mëparshme, a do të ishte në interes të Kosovës që Shtetet e Bashkuara të punonin me Serbinë për ta larguar atë nga orbita ruse?

Daniel Fried: Sinjalet në marrëdhëniet SHBA–Serbi janë të përziera, por përfundimi i licencës që lejonte kompaninë energjetike serbe NIS të bashkëpunonte me kompani ruse të sanksionuara tregon se administrata është e gatshme të ushtrojë presion ndaj Beogradit. Presidenti Vuçiç ka qenë i aftë të ruajë lidhjet e tij të ngushta me Rusinë duke shmangur presionin nga SHBA-ja dhe Evropa, por kjo qasje mund të mos jetë më aq efektive.

Të ngjashme

Të fundit