Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (ShSASHJ) i është drejtuar sot me një letër të hapur Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, Ilir Muçaj, duke kërkuar përmirësime të menjëhershme në politikat e brendshme dhe administrimin e burimeve njerëzore në shërbimin diplomatik.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i sapozgjedhur i Shoqatës, Fatmir Haxholli, theksohet nevoja për avancim profesional të merituar, kushte më të mira pune dhe trajtim të barabartë për të gjithë pjesëtarët e Shërbimit të Jashtëm, si brenda Ministrisë ashtu edhe në misionet diplomatike dhe konsullore jashtë vendit.
Shoqata ka renditur shtatë kërkesa kryesore:
Zbatimi i konkurseve të brendshme për pozitat e lira në misione diplomatike;
Publikimi i një liste vjetore të vendeve të lira për të mundësuar planifikim dhe transparencë;
Identifikimi i nevojave për gradime pa ndërhyrje me emërime të përkohshme paraprake;
Rotacioni dhe transferimi transparent i stafit, me respektim të dinjitetit profesional dhe familjar;
Meritokracia dhe barazia në proceset e avancimit dhe gradimit;
Zbatimi i vendimeve ligjore dhe shqyrtimi serioz i ankesave të zyrtarëve;
Rishikimi i koeficientit të pagave, duke e harmonizuar atë me standardet rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjithashtu, ShSASHJ ka kërkuar përfaqësim të saj në Komisionin për Grada dhe Disiplinë si dhe në të gjitha proceset që ndikojnë në karrierën e pjesëtarëve të shërbimit të jashtëm.
“Motivimi dhe trajtimi adekuat i stafit diplomatik janë parakushte për një diplomaci të suksesshme dhe moderne,” thuhet në letrën e hapur. Shoqata thekson se është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në mënyrë konstruktive në secilën fushë të përmendur.
Kjo letër vjen në prag të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe përfaqëson një thirrje të qartë për reformë, transparencë dhe profesionalizëm në administrimin e shërbimit diplomatik të Kosovës.